Liburn Aliu, ish-ministri i Infrastrukturës në Qeverinë “Kurti 2”, zyrtarizohet si drejtori i ri i Portit të Durrësit.
Sot po kryhet ceremonia e prezantimit të tij nga zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Numri 2 i qeverisë u kthye sot në Shqipëri pas vizitës në Rumani, ndërsa një ditë më parë u thirr nga SPAK në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj saj për shkelje të barazisë në tendera. Balluku pritet të njihet zyrtarisht me akuzat e SPAK, në prani të avokatit të saj.
Ndërkohë, drejtori i ri i Portit të Durrësit, Liburn Aliu tha se ndihej i nderuar për detyrën e re. Me batutë ai tha se “në Kosovë më shihnin si të Shqipërisë, ndërsa këtu si të Kosovës”.
“E nderuar zv.kryeministre, e dashur Belinda. Të dashur kolegë që do të punojmë bashkë. Jam shumë i nderuar që jam këtu. Dhe jam shumë i nderuar nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, për një detyrë që më është besuar dhe që është mjaft sfiduese. Porti i Durrësit nuk është i Republikës së Shqipërisë është i gjithë shqiptarëve. Është port i rajonit. Është port që sot Kosova pjesën dërrmuese të mallrave, po e merr nga ky port. Këtu gati gjysma e mallrave që hyjnë shkojnë drejt Kosovës, një pjesë e madhe shkon drejt maqedonisë. Është e domosdoshme e që ky port të modernizohet në shkallën që të jetë sfidues dhe të jetë konkurrent për të gjithë rajonin. Në aspektin gjeopolitik, të shihet RMV dhe Kosova si pika nga ku mallra do të shpërndahen në të gjithë rajonin. Kam pasur nderin që të punoj me Ballukun në forume të ndryshme të rajonit. Jemi takuar në shumë vende edhe në Bruksel e kudo”, tha ai.
Liburn Aliu dha dorëheqje nga Qeveria “Kurti” më 27 gusht të këtij viti nga posti i ministrit, vetëm një ditë pasi Dimal Basha u zgjodh Kryetar i Parlamentit.
Në një postim disa javë më parë, Aliu kontestoi zgjedhjen e Bashës në krye të Kuvendit dhe theksoi se ishte arsyeja kryesore e dorëheqjes së tij.
