Një video tronditëse tregon momentin kur një avion ushtarak bën ulje të detyruar dhe për pak nuk përplaset me një Tesla dhe disa makina të tjera.

Ngjarja ndodhi të enjten, kur një avion i Gardës Kombëtare të Oklahomës, tipit OA-1K Skyraider II, që ndodhej në një mision stërvitor, pësoi defekt në motor. Për shkak të avarisë, ekuipazhi u detyrua të kryente një ulje emergjente.

Ndërsa avioni zbriste mbi rrugët Southeast 119th Street dhe Sooner Road në Oklahoma City, një shofer Tesla-je, Matthew Topchian, regjistroi momentin dramatik me kamerën e makinës së tij.

“Po ngisja makinën dhe papritur, mbi një pemë, pashë avionin. Mendova: ‘Ky avion po fluturon shumë, shumë ulët’,”, tregoi ai.

Sipas dëshmive, avioni kaloi vetëm pak centimetra larg një furgoni të bardhë dhe me krahun e tij për pak nuk preku Teslën e Topchian. Shoferi rrëfeu se nuk pati kohë të reagonte, ndërsa pas momentit të tronditjes vuri re se avioni kishte goditur linja elektrike, duke shkaktuar zjarr në një zonë me barishte.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb