Ish-deputetja e Partisë Demokratike aktualisht drejtoreshë e Përgjithshme e “Focus Media News”, Dhurata Çupi deklaroi se reforma territoriale aktuale thuajse ka dështuar.

E ftuar në programin e drekës në News24 me Ola Bruko, Çupi pohoi se kjo reformë nuk mori vullnetin e mjaftueshëm. Sipas saj, sot bashkitë janë totalisht të varura nga pushteti qendror.

“Taktika e PD për Reformën Territoriale nuk është për të përfituar politikisht, se sa një reagim në shërbim të qytetarëve. Nga 2013 janë miratuar disa reforma përfshirë edhe territorialen. Ishte pa dakordësinë e palëve dhe është pothuajse e dështuar kjo që është aktuale sepse nuk mori vullnetin e qytetarëve.

Bashkitë sot janë totalisht të varura nga pushteti qendror. Reforma nuk ndau bashkitë në rurale dhe urbane, por i bashkoi dhe as unifikoi territorin midis zonave urbane dhe rurale. Sot fatkeqësisht, jo vetëm si eksperte e pushtetit vendor, por edhe si qytetare zonat rurale janë të pazhvilluara, nuk ka rrugë, nuk ka ndriçim, shërbimi publik bazë mungon, për të mos folur pastaj për zhvillimin e turizmit. Kam qenë deputete në Qarkun e Dibrës dhe zonat rurale janë të paprekura, tek tuk mund të gjendet ndonjë investim kryesisht me mbështetjen dhe synimin për të forcuar kapacitetet e partisë në pushtet dhe për t’i patur aty si pika elektorale. Reforma është e dështuar, uroj që reforma e re të sjellë ndonjë zhvillim në të mirë të publikut. Para 2 vitesh kam qenë bashkëkryetarë e komisionit të reformës territoriale së bashku me Anila Denajn e PS, raporti që lexova në Kuvend është i pavotuar, në seancë z.Balla tha se s’do ta votojmë kurrë raportin e opozitës sepse ka gjetje. Ne propozuam 94 bashki dhe ndarjen në 12, 6 ose 3 qarqe, dhe një ekuilibër të qarqeve të vogla dhe të mëdha, një ndarje të mirë dhe korrekte të numrit të banorëve, duke patur parasysh edhe traditat që i bashkon bashkitë, territorin, relievin. Këto kanë qenë propozimet tona.”, tha Çupi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb