Nëntë deputetë të Parlamentit Evropian, pjesë e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, janë në Shqipëri për të vlerësuar përparimin e vendit drejt anëtarësimit në BE.

Në takimin e sotëm me homologët e tyre shqiptarë, Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato theksoi se Shqipëria duhet të përqendrojë përpjekjet në avancimin e reformave të lidhura me anëtarësimin në BE, në mënyrë gjithëpërfshirëse, ndërpartiake dhe të qëndrueshme, që reformat të kenë një ndikim afatgjatë.

Gonzato adresoi edhe një mesazh për PS dhe PD kur theksoi se Kuvendi është vendi ku debatohet nga të gjithë të zgjedhurit, për çështje madhore, siç është edhe anëtarësimi në BE.

“Shqipëria duhet të sigurojë jo vetëm miratimin, por edhe zbatimin e qëndrueshëm të reformave, në mënyrë që të sjellin përfitime të prekshme për qytetarët. Parlamenti i Shqipërisë ka një rol kyç në këtë drejtim. Kuvendi është hapësira ku të gjitha forcat politike të zgjedhura debatojnë publikisht për anëtarësimin në BE. Të gjitha forcat politike kanë përgjegjësinë ta krijojnë dhe ta përdorin këtë hapësirë, të monitorojnë procesin dhe ta mbajnë qeverinë përgjegjëse për angazhimet e saj,” tha Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb