Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me shpërthimin e ndodhur ditën e djeshme në Shkodër, ku mbeti i plagosur shtetasi Ena Busukja.
Gazetari Senad Nikshiqi raporton se policia vendore dhe prokuroria e Shkodrës janë duke vijuar hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje. Efektivët kanë bërë sekuestrimin e kamerave të sigurisë pasi dyshojnë se autorët kanë qenë diku afër dhe pasi kanë parë shtetasin Busukja duke iu afruar automjetit të tij, kanë kryer shpërthimin e telekomanduar dhe më pas janë larguar.
Policia nuk përjashton faktin se autorët mund të jenë me pagesë, duke qenë njëra prej pistave të mundshme në këtë atentat. Po ashtu janë duke u hetuar të gjitha lidhjet e mundshme që mund të ketë i plagosuri Busukja nëse kjo ngjarje ka të bëjë me punën e tij në tatime, biznesin që ka për larjen e rrobave apo ndonjë konflikt tjetër.
Deri më tani policia nuk ka ende një pistë konkrete të hetimeve.
Efektivët në fshatin Dragoç të Postribës gjetën një makinë të djegur që dyshohet se e kanë përdorur autorët e tritolit. Ky automjet Golf 5+ rezulton i vjedhur rreth një vit më parë në qytetin e Shkodrës dhe është përdorur në këtë ngjarje të rëndë.
Në Shkodër një ditë më parë ishin edhe forcat RENEA lidhur me ekspertimin e lëndës eksplozive dhe sasisë që mund të jetë vendosur.
