Pas gjashtë fitoreve radhazi, skuadra kryesuese e Albi Mall Superligës, Prishtina ka pësuar humbje. Në ndeshjen e javës së 11-të, bardhekaltrit e kryeqytetit janë mposhtur në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë nga Llapi, me rezultat 2:1. Skuadra e trajnerit Tahir Batatina u tregua këmbëngulëse dhe në fund ia doli të ndërpresë serinë pozitive të Prishtinës, me golat e Edon Sadriut (40’) dhe Alex Gnapit (53’), teksa golin e vetëm për Prishtinën e realizoi Leotrim Kryeziu (68’). Pas kësaj fitoreje, Llapi ngjitet në vendin e pestë me 16 pikë, kurse Prishtina mbetet në krye të tabelës me 25 pikë, por tashmë Ballkani ka vetëm tri pikë më pak në pozitën e dytë.

Humbje si mysafire pësoi edhe skuadra kampione në fuqi, Drita, e cila u mposht në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj nga Drenica, me shifrat 3:1. Skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani kaloi e para në epërsi, me golin e Albert Dabiqajt (56’), por Drenica reagoi fuqishëm në pjesën e dytë dhe arriti të përmbysë gjithçka me dy golat e Ronaldo Chacon (64’, 73’) dhe një gol të Kreshnik Ukës (76’). Pas kësaj fitoreje Drenica ngjitet në vendin e gjashtë me 14 pikë, ndërsa Drita renditet në vendin e katërt me 17 pikë.

Ndërkohë, Ferizaj ka realizuar fitore në shtëpi, duke e mundur Prishtinën e Re, me shifrat 3:0. Golin e parë për vendasit e realizoi Erion Sadriu (22’), ndërsa në pjesën e dytë shënuan Jakup Berisha (70’) dhe Remzifaik Selmani (90’). Me këto tri pikë, Ferizaj ngjitet në vendin e tetë me 13 pikë, ndërsa Prishtina e Re mbetet në pozitën e fundit me 7 pikë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb