NGA FATMIR POPJA

Atmosferë elektrizuese pritet sonte në “Air Albania”, ku në orën 19:30 do të zhvillohet përballja e shumëpritur mes Tiranës dhe AF Elbasanit ,një duel që tashmë ka marrë përmasat e një klasikeje të futbollit shqiptar.

Që prej orës 17:30, nga qyteti i Elbasanit është nisur një autokolonë madhështore tifozësh, me qindra automjete dhe disa autobusë të mbushur plot me mbështetës të skuadrës verdh e blu. Kolona e gjatë disa kilometra ka kaluar nëpër akset kryesore kombëtare duke sjellë një atmosferë feste, me flamuj, këngë dhe fishekzjarre që kanë ngjyrosur rrugën drejt kryeqytetit.

 

Në “Air Albania” pritet një prani e jashtëzakonshme e tifozëve elbasanas, përfshirë grupimet e njohura “Tigrat Verdh e Blu” dhe “Arrakatët”, të cilët premtojnë spektakël në tribuna dhe mbështetje të zjarrtë për skuadrën e tyre.

Në katër përballjet e fundit, Tirana dhe AF Elbasani kanë dhuruar ndeshje me rezultate të ngushta dhe plot emocione. Tri prej tyre janë mbyllur me rezultatin 1-1, duke treguar një ekuilibër të fortë mes dy ekipeve që nuk dorëzohen lehtë.
Megjithatë, në takimin më të fundit të zhvilluar më 31 mars 2025, Elbasani arriti një fitore historike 2-1 në shtëpi, duke marrë tre pikë të arta dhe duke dëshmuar se është një kundërshtar serioz për çdo skuadër të elitës.

Kjo seri rezultatesh e ngushta tregon se, përveç një fitoreje të rrallë për Elbasanin, ndeshjet kanë qenë gjithmonë të luftuara dhe të tensionuara, me Tiranën që shpesh ka hasur vështirësi për të gjetur avantazhin përfundimtar, ndërsa AF Elbasani ka shfaqur karakter dhe rezistencë të admirueshme.

Me një “Air Albania” që pritet të jetë plot ngjyra dhe zhurmë, dueli i sotëm pritet të jetë një tjetër betejë e fortë mes traditës bardheblu dhe shpirtit luftarak verdh e blu.
Një fitore sonte mund të ndryshojë shumë për të dyja skuadrat ,për Tiranën do të thotë rikthim në rrugën e pretendimeve, ndërsa për AF Elbasanin, konfirmim se rikthimi në elitë nuk ka qenë rastësi.Ndërkohë që tifozëria elbasanase pritet të jetë e shumtë në “Air Albania ” në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës nga e cila presin lojë të bukur e cilësore dhe rezultat sa më pozitiv.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb