Deputeti i Partisë Demokratike, Arian Ndoja, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka komentuar situatën politike dhe tensionet e kohëve të fundit në Kuvendin e Shqipërisë.

Ndoja sqaroi se opozita nuk ka për qëllim të krijojë kaos apo pengesa në punimet e Parlamentit.

“Nuk i heq asgjë deklaratës sime, por është nxjerrë pak jashtë kontekstit. Ajo seancë zgjati jashtëzakonisht shumë dhe ne qëndruam deri në fund. U përpoqëm të përdorim strategjinë tonë për të folur, në një kohë kur çdo gjë po kalon pa debat,” u shpreh Ndoja.

Deputeti theksoi se zhurma që shpesh dëgjohet në sallë nuk është qëllim i Partisë Demokratike, por rezultat i reagimeve spontane të disa deputetëve.

“Bëhet pak zhurmë në fillim për procedurë, ka disa nene që parashikojnë si mund të flasësh. Një pjesë kanë emocionalitet të shtuar, por janë 2-3 individë që nuk kanë qëllime të këqija, thjesht e kanë mënyrë të sjelluri atë formë,” tha ai.

Sipas Ndojës, vullneti politik i PD-së është për debat dhe dialog parlamentar, jo për bllokim apo konflikte.

“Ky nuk është vullneti i PD. Ne kemi qëndruar aty për të treguar se PD nuk do zhurmë, kjo nuk është e vërtetë. Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë kryetarin e PD të thotë ‘prishni seancën’,” deklaroi ai.

Ndoja shtoi se opozita kërkon të rivendosë normalitetin dhe debatin politik konstruktiv në Kuvend, duke mbrojtur rolin e saj si zë kritik ndaj qeverisë, por brenda rregullave demokratike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb