Përpara Takimit të shumëpritur të 30 Tetorit me homologun amerikan Donald Trump, Presidenti kinez Xi Jinping, më 20 – 24 Tetor kishte drejtuar mbledhjen e Plenumit të 4-t të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Kineze. Synimi i këtij forumi të lartë partiak me 205 anëtarë ishte përgatitja dhe përpunimi i Planit të Ri Pesëvjeçar, me qëllim që ekonomia kineze të shmangë dhe pakësojë efektet negative të krizave dhe konflikteve ekonomike sidomos me Perëndimin, si tani ashtu dhe në të ardhmen.
Gjithashtu, Plenumi në fjalë vendosi që fuqia dhe pavarësia ekonomike kineze të jetë qëllimi madhor i planit të ardhshëm pesëvjeçar dhe përgatitjen për t’i bërë ballë rreziqeve dhe konflikteve të ardhshme, sidomos për lëndët e para kritike.
Qysh pas krijimit të saj si Republikë Popullore, Kina drejtohet mbi bazën e planeve pesëvjeçare të zhvillimit ekonomik; praktikë kjo e njohur në të gjithë ish kampin socialist dhe vendin tonë deri në ndryshimin e sistemit politik në vitin 1990.
Mbi këtë bazë, planifikohen dhe miratohen kuotat dhe drejtimet themelore të zhvillimit ekonomik bashkë me investimet themelore të brendshme dhe të huaja.
Më pas, në muajin Mars 2026, Plani i ri Pesëvjeçar 2026 – 2031 do të kalojë për miratim zyrtar në Kongresin Kombëtar të Popullit që luan rolin e Parlamentit.
Mbi të gjitha, Plani i ri ekonomik pesëvjeçar i Kinës synon daljen nga qerthulli i krizës dhe luftës tregtare ndërkombëtare kryesisht përmes novacionit dhe pakësimit të varësive ekonomike, veçanërisht nga SHBA-të dhe BE-ja.
Në zbatim të këtyre orientimeve, tre drejtimet themelore të këtij plani dhe të zhvillimit ekonomik të Kinës në pesë vitet e ardhshme janë si më poshtë:
Rritje ekonomike dhe Novacion teknologjik
Edhe më parë, por veçanërisht gjatë vitit 2025 Kina po ndeshet me shumë sfida serioze strukturore. Kjo mbasi në të kaluarën, modeli i rritjes ekonomike të vendit mbështetej kryesisht mbi suficitet e eksportit. Mirëpo, shtrenjtimi i kostove të prodhimit dhe rreziqet gjeopolitike që i kanosen vendit, sidomos konflikti për tarifat tregtare me SHBA-të dhe BE-në po e rrezikojnë ndjeshëm këtë model.
Ndërkohë, investimet e brendshme në infrastrukturë dhe sektori dikur në lulëzim i pasurive të patundshme e kanë humbur shkëlqimin dhe forcën e tyre ndikuese; po ashtu është dobësuar ndjeshëm kërkesa në tregun e brendshëm të vendit.
Një nga pasojat negative për ekonominë kineze është i ashtuquajturi “Involution“ ose konkurrenca vetëshkatërruese ndërmjet ndërmarrjeve që jo vetëm nuk kanë shënuar rritje ekonomike, por kanë patur rënie të fitimeve dhe të kërkesës në treg.
Ndaj, tani synimi është shmangia e kësaj dukurie me pasojat e saj negative, në mënyrë që ekonomia e vendit në vitet e ardhëshme të kthehet, sipas zhargonit që përdor Partia Komuniste, në “forcë të madhe prodhuese me cilësi të re”.
Në përputhje me këtë direktivë, teknologjitë e reja dhe revolucionare do të krijojnë industri, modele punësimi dhe struktura sociale cilësisht të reja.
Më pak varësi ekonomike nga SHBA-të
Sipas disa ekspertëve të fushës, “zemreku“ i strategjisë së re ekonomike kineze do të jetë zhvillimi i gjysëm përçuesve modernë. Për këtë synohet që nëpërmjet forcimit të mëtejshëm të kontrollit të eksporteve të mbyllen “shtigjet e ngushta“, sidomos lidhur me çipet logjistikë, të cilët janë elementi kyç prodhimi në fushën përcaktuese të Inteligencës Artificiale. Pikërisht kjo është bërë “mollë sherri“ me SHBA-të. Shënojmë se Kina ka avantazh të madh në fushën e metaleve të ralla, mbasi zotëron 75 për qind të rezervave ose 44 million ton, duke u renditur e para në listën e prodhuesve më të mëdhenj. Këto minerale janë të domosdoshme në prodhimin e gjysëm përçuesve, mikroçipeve, automobilave dhe prodhimeve moderne ushtarake.
Ndërsa SHBA-të renditen të shtatët në botë, duke u ndeshur me një sfidë të dyfishtë kundrejt Kinës në këtë fushë jetike.
Ja pse në luftën e tanishme dhe të ardhëshme tregtare me Perëndimin, sidomos me SHBA-të dhe BE-në, Pekini po dërgon sinjale paralajmëruese se “t’i përgjigjesh përshkallëzimit me përshkallëzim do të thotë të krijosh tensione afat-gjatë“.
Këtë Pekini zyrtar e tregoi edhe njëherë në fillimin e muajit tetor me vendosjen e kufizimeve të mëdha të eksporteve të saj të lëndëve të para dhe metaleve të rralla, mbasi SHBA-të e kërcënuan me tarifa 100 për qind; madje, Presidenti Trump anuloi përkohësisht edhe takimin me homologun kinez Xi. Pekini reagoi menjëherë se do të përgjigjej “me të njëjtën monedhë”.
Por, pastaj Presidenti Trump u tërhoq nga vendosja e tarifave në fjalë, ai zhvilloi edhe takimin me homologun kinez më 30 Tetor në Seul, në kuadrin e Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik Aziatik – Paqësor ( APEC).
Takimi midis tyre ishte miqësor çka e tregoi edhe arritja e marrëveshjes për uljen e tarifave te eksportit amerikan nga 57 në 47 për qind, lehtësimin e eksporteve amerikane të mikroçipave, lehtësimin e kontrollit kinez të metaleve të ralla, shtimi i importit të saj të sojës amerikane dhe bashkëpunimit lidhur me një marrëveshje paqeje me Ukrainën. Kjo ujdi me afat një vjeçar do të bisedohet dhe ripërtërihet çdo vit nga të dyja palët.
Për të kuptuar më mirë rëndësinë e kësaj marrëveshjeje dhe në përgjithësi të stabilitetit në marrëdhnëiet midis SHBA-ve dhe Kinës, mjafton të përmendim e ato japin 47 për qind te GDP-së dhe gjysmën e prodhimit botëror të mallrave.
Varësia Europiane si qëllim strategjik.
Sipas disa ekspertëve pritet që Kina të zbatojë në të gjithë botën strategjinë e saj ambicioze për të ulur varësitë e saj të jashtme dhe në të njëjtën kohë të krijojë varësi të vendeve të tjera nga Kina. Ndaj, besohet se pas muajit Mars, kur Kongresi i Popullit të vulosë Planin e Ri Pesëvjeçar do të ketë dhe demarshe të tjera të mëdha ekonomike, duke përfshirë edhe fushata për shtimin e investimeve Tajvaneze.
Mathieu Duchatel, Shef i Programeve për Azinë në Think Tankun francez « Montaigne në një intervistë të datës 24 Tetor për gjermanen “Tagespiegel“ thotë: “Integrimi ekonomik në Rrugën e Tajvanit është një nga kyçet e politikës së Pekinit kundrejt Tajvanit edhe pse prirja po shkon në drejtimin e kundërt“. Kjo sepse teknologjia e lartë e Ishullit është e lidhur ngushtë me kompanitë gjigande amerikane Apple dhe Nvidia që janë goditur nga kontrollet amerikane të eksportit.
Për BE-në, vendet e saj anëtare dhe veçanërisht për Gjermaninë, për shkak të varësisë së kësaj të fundit shumë më të madhe ekonomike nga Kina, sidomos në fushën e automobilave dhe teknologjisë së lartë, ambiciet kineze nënkuptojnë ashpërsimin e konkurrencës në sektorët kritikë dhe Inteligjencën Artificiale.
Për këtë arsye, për BE-në por dhe për SHBA-të nuk mjaftojnë vetëm masat tregtare mbrojtëse dhe qortimet ndaj Kinës, por duhen edhe masa dhe reforma më efektive.
Sipas ekspertëve, BE-ja duhet të shfrytëzojë shumë më mirë avantazhet dhe fuqinë e tregut të saj të brendshëm, me qëllim që të sigurojë kërkesat për ndërmarrjet e veta. Gjithashtu, ajo duhet të pakësojë pikat e saj të dobta dhe të brishta, veçanërisht varësinë nga lëndët e para kritike, sidomos mineralet e rralla nga Kina. Kjo mbasi Kina nuk do të vonojë dhe nuk do të hezitojë të shfrytëzojë varësitë ekonomike të Perëndimit si avantazhe strategjike në favor të saj.
Nisur nga sa sipër, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen njoftoi ditët e fundit nga Berlini se BE-ja nuk do të qëndrojë duarlidhur e as nuk do të bëjë sehir. Ajo po përgatit një plan tërësor, ashtu siç bëri për energjinë dhe gazin rus, me qëllim që shkallë shkallë të çlirohet nga varësia kineze lidhur me furnizimin me këto metale të rralla. Ky plan me emërtimin RE- RESOURCE EU do të fillojë të zbatohet me ricklimin e baterive dhe metaleve të tjera të rralla sipas praktikave të ekonomisë qarkulluese të lëndëve të para dhe pastaj me shtete të tjera prodhuese, duke kompensuar në maksimum mungesën e mallrave kritike kineze.
Për këtë qëllim, zyrtarë të lartë dhe ekspertë të Komisionit Europian kanë bërë vizita të shpeshta kohët e fundit në Japoni, për të mësuar nga përvoja dhe modeli i saj në këtë fushë dhe sidomos lidhur me krijimin e rezervave të mallrave kritike.
Gjithsesi, këtu vlen të theksohet se këto veprime dhe masa kineze do të zbatohen në bashkëveprim me zbatimin në masë të gjerë të Nismës strategjike të lançuar në Prill 2022 nga Presidenti kinez Xi Jinping për Sigurinë Globale; ndër gjashtë komponentët e saj themelorë figuron me theks të veçantë pikërisht siguria dhe pavarësia ekonomike nga vendet e tjera, por pa dëmtuar bashkëpunimin me to sipas leverdisë së ndërsjellë. Për më tepër se ajo shoqërohet dhe nga një trinom Nismash të tjera për Zhvillimin, Qytetërimin dhe Qeverisjen Globale.
Po ashtu, në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar dhe në trajtimin e problemeve që lindin prej tij, Kina vazhdon t’i përmbahet dhe të promovojë multilaterizmin. Gjithashtu këtu Kina është linjëzuar me Paktin për të Ardhmen e OKB-së, duke kontribuar në rigjallërimin e multilaterizmit dhe theksimin e rolit të saj qëndror në skenën ndërkombëtare; duke zëvendësuar konfrontimin e blloqeve me dialog dhe bashkëpunim, aleancat me partneritet luajal ku të gjithë të jenë fitues.
Për rrjedhojë, në marrëdhëniet e saj ekonomike dhe tregtare, si pjesë përbërëse të këtyre 4 nismave strategjike, Kinës i kërkohet të jetë e kujdesshme, që të veprojë në çdo rast në përputhje me interesat e saj strategjike, por dhe Kartën e OKB-së dhe dokumentave të tjera të organizatave përkatëse ndërkombëtare.
Ndryshe, nisur nga pesha dhe ndikimi i tyre madhor planetar, çdo përshkallëzim i konfliktit dhe luftës tregtare dhe tarifore midis Kinës, SHBA-ve dhe BE-së nuk do të ishte as në interesin e Kinës, as të SHBA-ve/BE-së dhe as të ekonomisë botërore; e cila, edhe kështu është e tejmbushur me kriza, sfida dhe pengesa serioze.
Në mbyllje të këtij shkrimi, pa nënvleftësuar rreziqet dhe kujdesin që kërkohet përballë ashpërsimit të pritshëm të konkurrencës ekonomike kineze, e shohim me vend të shprehemi lidhur me disa hezitime dhe këshilla me nota alarmi dhe paniku lidhur me vigjilencën edhe në bashkëpunimin ekonomik me Kinën.
Mirëpo edhe vetë zyrtarë të BE-së që bëjnë të tilla kritika dhe paralajmërime duket se harrojnë se vetë BE-ja ka qenë dhe mbetet promovuese e lulëzimit të marrëdhënieve ekonomike/ tregtare me Kinën.
Tani, sa për varësinë e madhe që ajo dhe vende të caktuara të saj kanë krijuar prej saj, këtu fajin e kanë kryesisht ato vetë, me politikatdhe strategjitë e tyre të gabuara ekonomike tashmë të njohura apo dhe gogolizimi i një partneri dhe konkurenti planetar si Kina.
