Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani raportoi sot në Kuvend për veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë gjatë vitit 2024. Gjatë fjalës së tij, Bogdani u shpreh se Këshilli ka dëshmuar përparim të dukshëm në realizimin e kompetencave kushtetuese. Konkretisht, nënvizoi Bogdani, “për vitin 2024 janë miratuar nëntë raporte të vlerësimit etik dhe profesional, ndër të cilët shtatë raporte periodike, një raport për drejtues dhe një raport i përshpejtuar”.
“Aktualisht që flasim kemi përmbyllur numrin 46 të vlerësimeve etike dhe profesionale të prokurorëve”, tha Bogdani. Bogdani theksoi se, “në vijim të këtij procesi Këshilli ka vijuar intensivisht procesin e verifikimit të figurës dhe pasurisë për 25 kandidatë që kanë ndjekur formimin fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës për vitin 2024-2025”. Për vitin 2024, shtoi Bogdani, “kemi verifikuar 23 kandidatë që kanë përfunduar formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës dhe kemi kryer verifikimet për 9 kandidatë për pozicionin drejtues për Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm”. Sa i takon sfidës së menaxhimit të vakancave në sistemin e prokurorisë, Bogdani theksoi se, “në vitin 2024 numri i prokurorëve në detyrë ka qenë 218, nga 341 që parashikohen të jenë në sistem”.
“Ndërkohë që aktualisht kemi 284 prokurorë, kemi 57 vakanca të përhershme dhe 39 vakanca të përkohshme. 57 vakancat e përhershme planifikohen që të mbyllet në harkun kohor të dy viteve e gjysmë”, tha Bogdani. Sa i takon proceseve të emërimeve edhe ngritjeve në detyrë, Bogdani u shpreh se, “KLP ka realizuar gjatë vitit 2024, tre ngritje në detyrë në pozicione drejtues prokurorish, dy riemërime në pozicione drejtuesi, ndërsa lidhur me lëvizjet paralele, tetë prokurorë janë transferuar me pëlqim në prokuroritë e tjera për të balancuar ngarkesat”. Bogdani theksoi se gjithashtu se “Këshilli ka realizuar procesin e ngritjes në detyrë të tre prokurorëve në SPAK, duke përmbushur kështu numrin njëzet të prokurorëve në strukturë”.
Gjatë 2024, nënvizoi Bogdani, “janë zhvilluar tri procedura disiplinore, për dy raste është rrëzuar kërkesa e ILD-së, ndërkohë që për një rast tjetër është vendosur një masë disiplinore e ndryshme nga ajo që është propozuar”. Bogdani u shpreh se gjatë vitit 2024 Këshilli ka marrë 300 vendime dhe ka siguruar publikimin në kohë reale të mbledhjeve dhe vendimeve dhe vakancave në sistemin e prokurorisë.
