Debate në Kuvend për zgjedhjet që priten të zhvillohen për Bashkinë e Tiranës, pas shkarkimit të Erion Veliajt.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla gjatë fjalës në Kuvend ironizoi opozitën për përzgjedhjen e kandidatit në Tiranë, duke thënë se Florjan Binaj viziton natën selinë e PD dhe takohet me Sali Berishën.
Ai u shpreh se Tirana do të votojë sërish për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, ndërsa Ogerta Manastirliu është “njeriu i duhur në kohën e duhur” për kryeqytetin.
Taulant Balla: Nuk e di pse u nxehët sa i përket kandidatit. Ju e dini si dilni me ne në Tiranë. E para: objektivin e kemi t’jua dyfishojmë diferencën. Nga 40 që e kishim me ty, do ta çojmë në 80 diferencën, sepse Tirana voton Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. O Belind, Tirana voton Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, dhe Ogerta Manastirliu është njeriu i duhur në kohën e duhur për të shëruar edhe disa probleme të tjera që ka Tirana. Ndërkohë që ju jeni aq të paaftë, sa në vend që të dilte njëri prej jush si kandidat, s’ua mbajti, dhe në fund e di si do të thoni: “Po futëm këtë, prandaj humbëm kaq thellë, se po të kishte dalë ndonjëri nga ne, do humbnim pak më pak.” Me këtë e keni thjeshtë. Sepse morët Zarin e Zenit te “Piranjat” dhe e bëtë kukullën e Saliut për në Tiranë. Kujtoni ju se Tirana s’e njeh “Zarin” e Zenit? Ja, do ta shihni kur të votojë Tirana.
Ore pse e mbani fshehur këtë kandidatin? Pse takoheni natën? Takohuni mo ditën, ju vjen natën se ka frikë kandidati, kujton se është në ndonjë rol të “Portokallisë” dhe i kanë thënë që mos dil me regjisorin? Ka ndonjë buf që s’e kupton se regjisori i kandidatit është Saliu? Nuk e dini ju që ato që thotë Flori i “Portokallisë” ia thotë Sali natën? Kaq turp u ka zënë, sa ju thotë kandidati nuk dua të dal me ju se nuk më votojnë… ej zgjidhe këtë punë Belind, se u ke dhënë ca punëve drejtim, por dilni me kandidatin.
***
Me Ballën replikoi demokrati Belind Këlliçi i cili deklaroi se një pjesë e grupit parlamentar socialist do të votojnë Florjan Binajn në Tiranë. Këlliçi tha se sondazhi i transmetuar në News24 nga sondazhisti i njohur italian, Antonio Noto, për garën e Tiranës, ka shqetësuar PS-në.
Belind Këlliçi: Duke qenë se u përmend një foto, i them zotit Balla ta bëjë publike. Ai sondazh që ka dalë para dy ditësh për Tiranën i paska dhënë efektet që u bë temë diskutimi kandidati i shkëlqyer që ka vendosur opozita ta mbështesë. Ju që flisni për intimidimin e drejtësisë keni dhënë shembulli në datë 12 shkurt të këtij viti. Një pjesë e mirë e grupit të PS do votojnë për Binajn. Braçe do jesh një nga votuesit e heshtur se je nga ata që flet për problemet e Tiranës.
