Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka mbajtur një fjalim të fortë në Kuvend, duke akuzuar qeverinë për neglizhencë ndaj grave që përballen me sëmundjet e rënda dhe për mungesë përgjegjësie në sistemin shëndetësor.

Në fjalën e saj, Vokshi tha se nuk do të fliste për dhunën e përditshme që shihet në media, por për “dhunën që vret pa zhurmë” atë që, sipas saj, ushtron shteti përmes mosveprimit dhe korrupsionit.

“Dua të flas për dhunën që vret ngadalë, dhunën shtetërore, ku shteti mbyll sytë dhe korrupsioni e babëzia shkatërrojnë jetën e qytetarëve. Shëndeti dhe drejtësia nuk janë më të drejta kushtetuese, por privilegje të filtruar nga patronazhistët e partisë,” tha Vokshi.

Ajo iu referua edhe raportit të Avokatit të Popullit, që sipas saj, ka konstatuar problematika të rënda në sistemin shëndetësor dhe aksesin në kujdesin mjekësor për qytetarët.

Deputetja demokrate u ndal më pas tek muaji tetor, i njohur si “muaji rozë” për ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit, duke kritikuar qeverinë dhe mazhorancën për mungesë angazhimi.

“Salla e Kuvendit ka vetëm një fjongo rozë. Nuk është organizuar asnjë aktivitet për këtë kauzë. Kjo është hera e parë që ne, gratë deputete, nuk jemi bërë bashkë për një çështje që na përket të gjithave. Zonjat e mazhorancës, ministret, apo zv/kryeministrja, nuk kanë kërkuar asnjë dëgjesë me gratë që përballen me vdekjen,” theksoi Vokshi.

Ajo solli shembullin e Hava Tafës, një gruaje 60-vjeçare me kancer të qafës së mitrës, e cila sipas Vokshit nuk përfiton rimbursim për ilaçin e nevojshëm, pasi “nuk rimbursohet për këtë lloj kanceri”.

“Është e papranueshme që nëse e ke kancerin diku, ilaçi rimbursohet, e nëse e ke diku tjetër, nuk rimbursohet. Kush e përcakton këtë? Nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës,” u shpreh ajo, duke shtuar se kërkesat e opozitës për rishikimin e fondit nuk kanë marrë përgjigje.

Vokshi akuzoi qeverinë se ka lënë në kolaps shërbimin onkologjik, ku sipas saj pacientët presin në radhë pa kushte minimale trajtimi.

“Njerëzit sot nuk kanë poltrona për të bërë kimioterapi, rrinë në karrige. Ky është krim në masë. Kam kallëzuar në SPAK zyrtarë për këtë, por prej 15 muajsh nuk ka reagim. A pret shëndeti?” – deklaroi ajo.

Në fund të fjalës së saj, Vokshi bëri një thirrje për gratë shqiptare: “Mos prisni më këtë qeveri të korruptuar. Bëni kontrolle, kujdesuni për veten. Tetori që duhej të ishte muaji i shpresës, është kthyer në tetorin e zi të shëndetit publik.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb