Kryeministrja italiane, Giogia Meloni e konsideroi një moment historik miratimin nga parlamenti italian të reformës në drejtësi.
“Sot, me miratimin e reformës kushtetuese në drejtësi në leximin e katërt dhe të fundit, po bëjmë një hap të rëndësishëm drejt një sistemi më efikas, të ekuilibruar dhe miqësor ndaj qytetarëve”, deklaroi Meloni.
”Një moment historik dhe një angazhim konkret në dobi të italianëve”, shtoi ajo.
”Qeveria dhe parlamenti kanë bërë pjesën e tyre, duke punuar me përkushtim dhe vizion”, tha Meloni.
”Tani qytetarët do të thonë fjalën e tyre, duke u bërë thirrje atyre të shprehin pikëpamjet përmes një referendumi konfirmues. Italia vazhdon rrugën e saj të ripërtëritjes, për të mirën e kombit dhe qytetarëve të saj. Sepse një Itali më e drejtë është gjithashtu një Itali më e fortë”, shkroi kryeministrja Giorgia Meloni në X.
Senati i Italisë miratoi sot planet kontroverse të kryeministres Giorgia Meloni për të riorganizuar sistemin gjyqësor duke kapërcyer pengesën e fundit parlamentare për një amendament kushtetues.
Por, publiku do të ketë fjalën e fundit, me reformën që do të vihet në një referendum vitin e ardhshëm.
Senati votoi 112 vota pro, 59 kundër dhe nëntë abstenime.
Koalicioni trepartiak i Melonit, në pushtet që nga tetori i vitit 2022, mban shumicën në dhomë.
Reforma është një projekt kryesor për qeverinë e Melonit.
Partitë e krahut të djathtë kanë akuzuar prej kohësh segmente të mëdha të gjyqësorit italian për paragjykime politike drejt së majtës, një pretendim që Meloni e ka përsëritur vitet e fundit.
Projektligji ndan në mënyrë strikte karrierat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që do të thotë se ata nuk mund të kalojnë më nga një rol në tjetrin.
Legjislacioni gjithashtu prezanton organe të reja vetëqeverisëse për gjyqtarët dhe prokurorët, me përfshirje parlamentare në emërimet e tyre.
Kritikët paralajmërojnë se kjo mund t’u japë politikanëve ndikim indirekt mbi vendimet e personelit gjyqësor.
Mbështetësit thonë se reforma është e nevojshme për të ribalancuar pushtetin midis politikës dhe gjyqësorit, ndërsa kundërshtarët – përfshirë shoqatat kryesore ligjore dhe partitë e opozitës – argumentojnë se ajo kërcënon pavarësinë e gjyqësorit
