Ish-kryebashkiaku Erion Veliaj nga Gjykata Kushtetuese, teksa kërkon rikthim në detyrë, deklaroi se kjo seanca për të është historike. Ai pyeti para të pranishmëve, se cilin nen kishte shkelur teksa kryente detyrën.
“Siç thoshte Martin Luther King: “Harku i Universit Moral është i gjatë dhe rraskapitës, por në fund anon nga e drejta.”. Ndaj, jam sot këtu, përpara Jush, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, qytetit më të madh të kombit tonë, me të drejtën që ma kanë dhënë 160 mijë vota qytetarësh të lirë të këtij qyteti, në fund të këtij harku 9-mujor në kërkim të së drejtës. Nuk jam këtu për të mbrojtur veten, sepse nuk kam kryer asnjë shkelje. Jam këtu për t’ju drejtuar me gjithë respektin që meriton detyra Juaj e lartë dhe për t’ju kërkuar një gjë të vetme: të mbrojmë së bashku demokracinë që po vihet në sprovë. Demokracinë për të cilën, si unë, ashtu edhe Ju, të nderuar gjyqtarë, jemi betuar ta mbrojmë — jo në letër, por me veprim, edhe në këtë sallë, sot.
Ky mandat nuk është i imi. Ky mandat është një besëlidhje publike, një kontratë që qytetarët e Tiranës ma kanë dhënë me vullnetin e tyre të lirë. Kjo besëlidhje është nderi i jetës sime dhe për mbrojtjen e saj unë do të bëj gjithçka që më lejon ligji, fuqia e mendjes dhe forca e zemrës sime. Do ta mbroj deri në fund sepse nuk po mbroj një karrige, por shpirtin e një lidhjeje të shenjtë midis qytetarit dhe të zgjedhurit të tij. Populli i këtij vendi, përmes Kushtetutës së tij, ka vendosur qartë se askush nuk mund ta ndërpresë mandatin e një të zgjedhuri vendor përpara afatit, përveçse kur ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjit. Ky nuk është një zbulim i ri; është një premtim solemn i Republikës ndaj vetvetes, një kufi moral dhe ligjor që askush — as unë dhe as Ju — nuk duhet ta shkelë pa rrëzuar më parë themelet e besimit publik mbi të cilat ngrihet vetë shteti.
Prandaj, me respekt të plotë dhe solemn për këtë Gjykatë, pyes sot:
Cilën shkelje të rëndë të Kushtetutës apo të ligjit kam kryer unë, në ushtrimin e mandatit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës? Përpjekja ime për të mbrojtur besëlidhjen me qytetarët e Tiranës, edhe në kushtet e rrëmbimit në qeli, është detyrim imi ndaj qytetarëve.
Besimi im se vota e lirë është më e fortë se kulisat politike është fuqia që më shtyn të bëj këtë betejë.
Bindja ime se drejtësia duhet të burojë nga Kushtetuta dhe jo nga protagonizmi politik apo etja për karrierë mbi kurriz të lirive themelore të qytetarëve është e palëkundur.
Ato çfarë Kushtetuta i mbron, shpresoj që në këtë sallë të thuhen me zë të lartë, të arsyetohen nga Ju dhe të dëgjohen nga çdo shqiptar që ende beson se ligji duhet të të mbrojë, jo të të sulmojë padrejtësisht.
Të nderuar gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese,
Në këtë seancë nuk po shqyrtohet një vend pune. Kjo është një seancë historike, që shqyrton vetë demokracinë shqiptare, themelet mbi të cilat qëndron shteti ynë.
Sepse që nga dita kur miratuam Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe pranuam demokracinë, si vlerën më të lartë të ushtrimit të pushtetit nga sovrani — nga populli — të gjithë ne, qytetarë, politikanë, nëpunës të shtetit dhe Ju, të nderuar gjyqtarë, jemi betuar ta respektojmë dhe ta mbrojmë atë vlerë. Ne jemi betuar të mbrojmë demokracinë, jo ta përdorim atë. Të ruajmë si pasurinë më të shenjtë të Republikës, jo ta sakrifikojmë për llogari të momentit, për rehati politike apo për urdhra të përkohshëm, që bien ndesh me ligjin e përjetshëm të drejtësisë”, tha ai.
