Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, ka publikuar për konsultim publik projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr.152/2013, ‘Për Nëpunësin Civil’, të ndryshuar”.
Ky projektligj synon përmirësimin e modelit të Shërbimit Civil në Shqipëri, me qëllim rritjen e efikasitetit në proceset e pranimit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore, si dhe krijimin e kushteve që tërheqin më shumë profesionistë të kualifikuar edhe nga jashtë administratës publike.
Ndryshimet e propozuara parashikojnë më shumë transparencë, fleksibilitet dhe siguri në procesin e rekrutimit dhe trajtimit të nëpunësve të nivelit të lartë. Një nga risitë kryesore është rritja e kufirit për rekrutimet nga jashtë Shërbimit Civil, nga 20% në 50% të pozicioneve vakante brenda një viti.
Gjithashtu, parashikohet një strukturë e re pagash, e cila synon të nxisë performancën dhe të rrisë motivimin e punonjësve.
Një administratë profesionale dhe e bazuar në meritë është një nga shtyllat kryesore të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, dhe forcimi i saj mbetet objektiv themelor i këtyre ndërhyrjeve ligjore.
Projektligji është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e programit “BE për Mirëqeverisjen” dhe me ekspertët e OECD/SIGMA, në koordinim me ministritë, institucionet e pavarura dhe palët e tjera të interesit.
Nga 31 tetori 2025, dokumenti do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi publik.
Ndryshimet kryesore të propozuara në legjislacion
- Standard unik rekrutimi për gjithë administratën publike
- Zbatimi i parimit të meritës në të gjitha institucionet publike, brenda dhe jashtë Shërbimit Civil.
- Procesi i rekrutimit do të administrohet nga një Komision Kombëtar i Atestimit, me përfaqësim nga qeveria, institucionet e pavarura dhe pushteti vendor.
- Model i ri pranimi në nivelin hyrës
- Faza e parë: testim kombëtar i unifikuar, i organizuar nga DAP për të gjithë kandidatët e interesuar.
- Faza e dytë: konkurs specifik për pozicionin vakant, i zhvilluar nga institucioni përkatës nën mbikëqyrjen e DAP.
- Ristrukturim i rekrutimit për nëpunësit e nivelit të lartë drejtues
- Rritje e transparencës, fleksibilitetit dhe sigurisë në proces.
- Shpallje individuale e çdo vakance.
- Mandate 5-vjeçare të rinovueshme për Sekretarët e Përgjithshëm dhe titullarët e institucioneve.
- Kufizim i ndërhyrjeve diskrecionare në përzgjedhje.
- Sistem karriere më i hapur dhe fleksibël
- Lehtësim i qarkullimit të profesionistëve ndërmjet sektorit publik dhe privat.
- Rritje e pjesës së rekrutimeve nga jashtë deri në 50% të vakancave vjetore.
- Mundësi të reja për rikthimin në shërbimin civil pas përvojave jashtë tij.
- Strukturë e re pagash e bazuar në performancë
- Heqje e avancimit automatik në shkallët e pagës.
- Bonus vjetor për performancë të lartë, për një përqindje të kufizuar punonjësish.
- Sistem i ri vlerësimi me pesë nivele, në vend të katër që parashikohen aktualisht.
