Gazetarja Klodiana Lala zbardh detaje të reja nga hetimet e SPAK për zv/kryeministren Belinda Balluku. Ajo mbërriti në ambientet e Prokurorisë së Posaçme rreth orës 15:10 të kësaj të premte. Kjo ishte thirrja e dytë për Ballukun, ndërsa të hënë ajo refuzoi të shkonte para prokurorëve.

Lala tha për News24, në një lidhje direkte nga SPAK, se prokurori Dritan Prençi ka gjetur shkelje në rastin e tenderit të tunelit të Llogarasë, ku dyshohet se zv/kryeministrja ka ndërhyrë në përcaktimin e fituesit.

Klodiana Lala: Është zyrtarja më e lartë që paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, është zyrtarisht nën hetim për shkelje të barazisë në tendera. Numri 2 i qeverisë shqpitare, mban edhe detyrën e ministres së Infrastrukturës prej vitit 2019. Tenderi për të cilën është hetuar dhe që janë gjetur shkelje në paracaktimin e kompanisë fituese janë të viteve 2019-2021 dhe lidhen me tunelin e Llogarasë.

Është interesante zgjedhja që ka bërë znj.Balluku për t’u mbrojtur. Znj.Qirko në cilësinë e komisioneres së KPK dhe kryetares së këtij institucioni, ka vetuar disa nga prokurorët e kësaj strukture dhe të GJKKO.

Pra, nëse znj.Balluku nuk do të japë shpjegime, ata firmosin dokumentet dhe shprehin dakordësinë ose jo me prokurorët dhe i lënë në ambientet e Prokurorisë. Ligji parashikon që ata mund t’i paraqesin prapësimet përmes memo-ve në mënyrë të vazhdueshme derisa prokurorët të përmbyllin dhe t’i drejtohen ose jo gjykatës për dërgimin e kësaj dosje. Por deri atëherë është një tjetër kohë që duhet të marri prokurorë posaçmë, në rastin konkret Dritan Prençi.

Ka një hetim të zgjeruar për tenderat e rrugëve dhe prokurorët kanë dyshime të arsyeshme dhe të bazuara edhe në prova se Balluku është e përfshirë në shkelje të barazisë në tendera. Tendera të cilat kompanitë fituese janë paracaktuar dhe nën akuzë e gjykim tanimë janë njerëz të besuar e bashkëpunëtorë të saj e të tjerë që janë duke u hetuar. Ndër ta, Evis Berberi një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë dhe Gentan Gjyli që gjithashtu ndodhet nën akuzë dhe po gjykohet në GJKKO. Para se Balluku të paraqitej në SPAK ka patur një sërë kontrollesh ku janë ushtruar kontrolle ndaj njerëzve të besuar dhe bashkëpunëtorë të znj.Balluku, ata që lidhen me kabinetin e zyrtarë të institucioneve. Janë sekuestruar telefona celularë e dosje për llogari të hetimeve.

Pritet që SPAK të bëjë njoftim zyrtar.

A do të ketë edhe tendera të tjerë që do t’i nënshtrohen hetimeve? Burime pranë SPAK thonë se paralelisht me tenderin e tunelit të Llogarasë janë sekuestruar edhe një sërë praktikash të tjera të cilat janë duke u hetuar dhe në vijim do të përcaktohet nëse janë gjetur apo jo shkelje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb