Pas një dite të gjatë në gjykatën Kushtetuese, ish-kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, me rikthimin në institucionin e paraburgimit në Durrës, ka postuar në rrjetin e tij social facebook një mesazh për liderin historik të së majtës, Fatos Nano i cili u nda nga jeta ditën e sotme.
Veliaj e cilëson vizionin e Nanos, qytetar dhe thellësisht europian, ai besoi se e majta duhet të ishte hapje, debat dhe progres, jo thjesht dogmë.
Mesazhi i plotë
Me trishtim mora lajmin e ndarjes nga jeta të Fatos Nanos, kryetari që formësoi Partinë Socialiste dhe politikën moderne shqiptare.
Me vizionin e tij qytetar dhe thellësisht europian, ai besoi se e majta duhet të ishte hapje, debat dhe progres, jo thjesht dogmë.
Sot kujtojmë me respekt një udhëheqës tolerant e liberal, i cili diti t’i tregojë këto cilësi edhe me mua, vite më parë, në ditët e rebelimit aktivist.
Demokracia nuk matet me sa shumë flasim, por si debatojmë me qytetari dhe sa shumë dimë të dëgjojmë njëri-tjetrin. Sepse liria nuk është vetëm e drejta për të folur, por edhe përgjegjësia për të kuptuar.
Kjo ishte fryma që Fatos Nano i dha të majtës shqiptare dhe për çka duhet t’i jemi mirënjohës.
U prehtë në paqe.
