Ish-ministri i Financave dhe një nga bashkëpunëtorët e afërt të Fatos Nanos, Arben Malaj, ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit, duke e cilësuar atë si një humbje të madhe për politikën shqiptare dhe një figurë që “la pas një trashëgimi të pasur liberale e institucionale”.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Malaj tha se kishte qenë në dijeni të gjendjes së rënduar shëndetësore të Nanos, por shpresonte që ai ta kalonte edhe këtë herë si në të kaluarën.

“Humbja e Nanos është një humbje e rëndë. E dinim që ishte në situatë të vështirë, kishte qenë edhe më parë por i kishte tejkaluar. Po bëhej gjithçka që të rikthehej në jetë nga familjarët dhe mjekët. Ishim në pritje prej javësh, por ishim të kujdesshëm që të mos bezdisnim familjen,” tha Malaj.

Duke folur për figurën dhe trashëgiminë e Fatos Nanos, Malaj theksoi se ajo që mbetet më e çmuar nga një figurë publike janë gjurmët që lë pas në politikë dhe qeverisje.

“Të gjithë kanë dritë-hijet e tyre, por trashëgimia politike që lë një person publik është gjëja më e çmuar. Nano arriti, duke qenë njeri liberal, të lërë një trashëgimi të pasur, që nis me Partinë Socialiste dhe qeverisjen e vendit,” u shpreh ish-ministri.

Malaj kujtoi se Nano, bashkë me themeluesit e tjerë të Partisë Socialiste, pati një rol vendimtar në orientimin e partisë drejt të majtës evropiane, duke e shkëputur nga strukturat e së kaluarës komuniste.

“Bashkë me kolegët themelues të PS-së, Nano u përball me vështirësinë për të orientuar drejt të majtës europiane një parti kapilare që kishte lindur nga e kaluara. Ai ka qenë kryeministër në momente të vështira dhe kur ka parë rrezikun e paqes sociale, ka dhënë dorëheqjen,” theksoi Malaj.

Në përfundim, ish-ministri e përshkroi Fatos Nanon si një lider që dinte të lexonte kohën dhe që, pavarësisht polemikave politike, shënoi një epokë në tranzicionin demokratik të Shqipërisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb