Prej orës 08:30, kanë nisur homazhet në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano i cili vdiq më 31 tetor, pas disa javësh i shtruar në gjendje të rëndë në spital.

Në hollin e Pallatit të Kongreseve, familjarët e ngushtë të liderit historik të së majtës, kanë pritur ngushëllimet e dhjetëra qytetarëve të ardhur dhe nga rrethet e vendit.

Po ashtu, edhe figura politike të njohura në vend, si Fatmir Mediu, Agron Duka, Arben Malaj dhe emra të tjerë janë ndër të parët që kanë mbërritur në ceremoninë e homazheve për nder të ish-kryeministrit Fatos Nano.

Whatsapp Image 2025 11 02 At 09.28.23
Whatsapp Image 2025 11 02 At 09.28.23

Kurora me lule e buqeta janë vendosur në arkëmortin e ish-kryeministrit, ndërsa sic shihet në foto, në rreshtin e parë të pritjes së ngushëllimeve janë vendosur sipas  radhës, bashkëshortja e ish-kryeministrit, Xhoana Nano, dy fëmijët e tij nga martesa me gruan e parë Rexhina Nano, djali i Xhoanës dhe ish-bashkëshortja Rexhina. Më pas shihen bashkëpunëtorë të ngushtë të tij.

Trupi diplomatik shqiptar dhe personalitete të politikës, do të nderojnë figurën e Nanos në pjesën e dytë të ceremonisë.

Në përfundim të ceremonisë shtetërore do të jetë kryeministri Edi Rama, gjithashtu pasues i Fatos Nanos në drejtimin e Partisë Socialiste, që do të mbajë një fjalë e më pas dhe vetë bashkëshortja e Nanos, Xhoana, apo dhe djali Sokoli. Fatos Nano do të përcillet për në banesën e fundit pas një ceremonie private familjare.

Fatos Nano ndërroi jetë mesditën e djeshme në moshën 73-vjeçare. Prej kohësh ai vuante nga probleme kronike respiratore ndërsa gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ndjeshëm.

Tri herë kryeministër i Shqipërisë, Fatos Nano do të mbahet mend si një prej figurave më të rëndësishme të tranzicionit, si njeriu që reformoi Partinë Socialiste dhe një lider me vizion për të ardhmen e Shqipërisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb