Në Pallatin e Kongreseve kanë nisur sot homazhet në nderim të ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano.
Në ceremoninë shtetërore të nderimit për Fatos Nanon, po zhvillojnë homazhe dhe vendosin kurora me lule qytetarë dhe personalitete nga fusha të ndryshme, ndërkohë që në vijim, nga ora 11:15-11:45, u zhvilluan homazhet e personaliteteve shtetërore dhe të trupit diplomatik.
Në homazhe morën pjesë Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zv/kryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, si dhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar.
Po ashtu homazhe zhvilluan edhe ish-kryeparlamentari Gramoz Ruçi, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla si dhe deputetë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe personalitete me kontribute ne këtë forcë politike.
Në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano, në Pallatin e Kongreseve zhvilluan po ashtu homazhe edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
Të pranishëm në homazhe ishin edhe deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, si dhe politikanë nga opozita, si Agron Duka, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, apo Fatmir Mediu i Partisë Republikane, po ashtu dhe ish kreu i PD, Lulzim Basha. Në homazhe morën pjesë dhe drejtues të pushtetit lokal. Po ashtu i pranishëm ishte dhe kryekomisioneri i KQZ, Ilirian Celibashi. Po ashtu, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.
Po ashtu në homazhe mori pjesë dhe ish-presidenti Alfred Moisiu, si dhe ish-presidenti Bamir Topi.
Ndërkohë përfaqësues të komuniteteve fetare në vend, akademikë, artistë, gazetarë e përfaqësues të fushave të ndryshme ishin të pranishëm në hollin e Pallatit të Kongreseve dhe kaluan me radhë për të kryer nderimet e fundit në kujtim të ish-kryeministrit Fatos Nano.
