TIRANË- Demokrati Tritan Shehu ka dalë sot kundër importit të mbeturinave. Pak ditë pasi disa deputetë socialistë, të kryesuar nga Eduart Shalsi kanë depozituar në Kuvend një projektligj për importin e plehrave me arsyetimin se biznesi i riciklimit të vend është drejt falimentimit dhe kjo do të zhvillonte ekonominë, Shehu iu bën thirrje qytetarëve të çohen kundër kësaj nisme.
Në një status në facebook, Shehu shkruan se një ndryshim ligjor që do të lejonte importin e plehrave do të kishte pasoja katastrofale për ambientin, shëndetin e qytetarëve dhe vendin në tërësi.
STATUSI I TRITAN SHEHUT
Spekulimi i ri i maxhorancës: “Plehrat do të zhvillojnë ekonominë shqiptare dhe vendin”!
“Të lejojmë me ligj importin e gjerë të mbeturinave”, pra të legalizojmë plehrat e botës tek ne, “jo vetëm për riciklim, por dhe për depozitim e shkatërrim”!
Ky është vizioni më i fundit i të majtës i shprehur nëpërmjet deputetëve të saj, për të “stimuluar” industrinë tonë, për të “sjellë mirëqenie”..
Pas “idesë gjeniale” të legalizimit të kanabisit, sot kërkohet “legalizimi” i plehrave!
Si pasojë e të parës vendi është mbushur me atë drogë, jo për të mirën e qytetarëve, por për të zezën e tyre.
Tani kërkohet të mbushemi dhe me plehra të importuara, ndërsa ne aktualisht po “qelbemi” nga tonat e as mundemi t’i kontrollojmë, riciklojmë, administrojmë e shkatërrojmë qoftë dhe këto.
Një ndryshim i tillë ligjor, tipik ky për “boten e tretë”, do të kishte pasoja katastrofale për ambientin, shëndetin e qytetarëve, për vendin në tërësi.
Është krejt e kundërta e asaj që PS premtoi në programin e saj elektoral dhe për çfarë ka nevojë vendi.
Ne na duhet të forcojmë legjislacionin përkatës bllokues!
Mjafton të analizosh dëmet që i janë krijuar vendit vetëm nga lejimi i gabuar tashmë i importit të gomave të përdorura, të bllokuara më 1993, kupton problemet gjigande që do të krijonte ndryshimi ligjor i propozuar.
Në këto kushte jo vetëm shoqatat e grupimet ambientaliste, por i gjithë opinioni i ynë, ata që e duan këtë vend e banorët e tij, duhet të mobilizohen për të mos lejuar këtë fatkeqësi të re, që kërkohet t’i imponohet Shqipërisë.
Varfëria, papunësia, rënia ekonomike nuk mund të luftohen dhe as të minimizohen duke i “hapur dyert” plehrave të botës, përkundrazi!
Kjo gjë do të përkeqësonte gjendjen aktuale në tërësi, do të rrezikonte shëndetin e banorëve tanë.
Një ndryshim ligjor i tillë i shërben interesave të ngushta grupimesh, dëmton rëndë qytetarët, territorin e përmbushjen e standardeve tona europiane.
(m.k/BalkanWeb)
