Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën këtë të diel për të nderuar e përcjellë Fatos Nanon, dhe ky nuk ishte thjesht një funeral, ishte një dëshmi e gjallë e respektit dhe admirimit që ai la pas vetes.

Pjesëmarrja masive e njerëzve nga të gjitha brezat, miq, bashkëpunëtorë, zyrtarë të kohës, njerëz me të cilët kishte patur përplasje, njerëz që nuk bëhen bashkë as me njëri-tjetrin, ministra e deputetë socialiste, madje edhe kundërshtarë politikë, tregoi diçka të rrallë: Nano ishte një lider i tolerancës, një udhëheqës që nuk ushqente mllef apo hakmarrje, madje as ndaj atyre që i kishin vështirësuar rrugën dhe jetën.

Qëndrimi i Fatos Nanos tregon se fuqia e vërtetë politike nuk matet me zemërim apo hakmarrje, por me respekt, maturi dhe aftësinë për të bashkëpunuar me të gjithë.

Ai la një shembull të rrallë dhe të pazakontë, një lider që drejton me qetësi dhe zemërgjerësi, jo me urrejtje.

Në një kohë kur politika në Shqipëri shpesh matet me mllef dhe forcë hakmarrjeje, shembulli i Nanos tregon se udhëheqja e vërtetë qëndron në respekt, dialog dhe tolerancë, një mësim i domosdoshëm për të gjithë politikanët, pavarësisht ngjyrave, dhe për brezat që vijnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb