Trajneri i Bylis, Mirel Josa u shpreh i lumtur pas fitores 0-2 ndaj Tiranës.
“Pikët janë gjëra kryesore, qetësojnë një skuadër. Nuk ka më ndeshje brenda dhe ndeshje jashtë. Unë me skuadrën time në këtë mënyrë sillem. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, që këto pikë mos të na kthehen kundër në javët në vazhdim.
Nuk kishin një mbrojtës që të merrte pjesë në 5-3-2 e Tiranës që kishte në pjesën e parë, aty kishte hapësira. Donin që të përfitonin nga krahu me Vera dhe lojtarin tjetër nga Azerbajxhani. Ky moment nuk u kap mirë nga ne, për arsye të futjes së mesfushorit tonë të qendrës, shumë thellë. Mos të harrojmë se nga momenti që Tirana do të luante topin, ne do t’i bënim presing sipër. Fusha nuk i lejonte të lëvizte me topin ashtu si Tirana donte. Përgjoni dhe Përndreca ishin me kartonë të verdhë, prandaj u luajt ashtu.
Në përgjithësi vendosja ishte 4-2-3-1, nëse keni parë fillimin e lojës. E vetmja gjë ishte veçoria që i kishim vënë Ualisson dhe Malomos. Kërkoja sidomos për të problematizuar sa më tepër mbrojtjen e Tiranës. Ky ishte pikësynim, pastaj si vjen në mbrojtje, është punë tjetër. Tirana formonte distancë të madhe mes sulmuesit të majtë dhe qendërmbrojtësit të majtë, këtë duhej ta shfrytëzonim. Në pushim i thashë Peraltës që të shkonte aty dhe të fitonte topin në ato pozita”, tha Josa.
