Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të hënën se nuk ka parë një plan evropian për t’i dhënë fund luftës, megjithëse disa vende në kontinent kanë paraqitur propozime për një zgjidhje paqësore.
“Gjëja e rëndësishme në këtë çështje është, a e kam parë unë, si president i Ukrainës, këtë plan? Jo. Ka pikëpamje dhe propozime të ndryshme evropiane për një zgjidhje paqësore”, tha Zelensky në një konferencë për shtyp, raportoi agjencia e lajmeve Interfax-Ukrainë.
Ai tha se as Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe as udhëheqësit evropianë nuk kanë qenë ende në gjendje ta detyrojnë Rusinë të bashkohet me negociatat e drejtpërdrejta.
Trump ka udhëhequr përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë që nga fillimi i mandatit të tij të dytë në janar. Ai u takua me Presidentin rus Vladimir Putin në Alaska në gusht dhe më vonë hodhi idenë e një takimi trepalësh që përfshinte edhe Zelenksyn. Megjithatë, Rusia thotë se një takim midis Putinit dhe Zelenksyt kërkon përgatitje të plotë dhe duhet të çojë në një rezultat.
Një samit i ri midis Trump dhe Putin ishte planifikuar të mbahej në Budapest, por pa sukses.
“Konsultimet janë duke vazhduar në nivel këshillimor, por aktualisht nuk ka asnjë plan përfundimtar në tryezë”, tha ai, duke shtuar se nëse një i tillë zhvillohet me Evropën, ” Ukraina do ta diskutojë atë me Shtetet e Bashkuara, pasi amerikanët kanë vizionin e tyre”.
Plani evropian i paqes , detajet e të cilit janë të pakta, thuhet se përfshin një armëpushim bazuar në vijën aktuale të kontaktit dhe më pas negociata për t’i dhënë fund luftës.
Zelensky njoftoi gjithashtu se një delegacion amerikan do të vizitojë Ukrainën javën e ardhshme për të diskutuar një marrëveshje për prodhimin e dronëve.
“Ekipi i Shteteve të Bashkuara për marrëveshjen e dronëve do të jetë në Ukrainë javën e ardhshme”, tha ai, duke shtuar se Këshilltari Strategjik Oleksandr Kamyshin do të përfaqësojë eksportet e Ukrainës në të gjithë Evropën, ndërsa Sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, Rustem Umerov, do të mbikëqyrë shtrirjen e aktiviteteve në Lindjen e Mesme dhe Azi.
Presidenti tha se Ukrainës i mungojnë ende 750 milionë dollarë nga 2 miliardë dollarët e nevojshëm për importet e gazit, por do të marrë 127 milionë euro shtesë në mbështetje evropiane.
Ai shtoi se Ukraina do të vazhdojë të mbajë takime të rregullta virtuale me udhëheqësit botërorë për të koordinuar mbështetjen për sektorin e saj të energjisë, me seancën e radhës të planifikuar pas një jave.
