Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi Qeverinë dhe riktheu Erion Veliajn në krye të Bashkisë së Tiranës.

Në një reagim në rrjetin social X, kreu i qeverisë kërkon zgjidhjen e ngërçit të krijuar, teksa Veliaj duhet të vijojë drejtimin e kryeqytetit nga burgu.

Kreu i qeverisë argumenton se mbajtja në burg e Veliajt, ndërkohë që ai mbetet kryetar në detyrë, krijon një “disproporcion të rëndë” jo vetëm ndaj të drejtave të tij kushtetuese, por edhe ndaj të drejtës së qytetarëve të Tiranës për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i tyre.

Sipas Ramës, qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë “parimor dhe jo politik”, ndërsa theksoi se e njëjta parimësi duhet të udhëheqë edhe gjykimin për masën e sigurisë ndaj Veliajt, për t’i dhënë atij mundësinë të vazhdojë procesin gjyqësor në gjendje të lirë.

“Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo”, shkruan Rama.

“Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo”, vijon më tej kryeministri.

Reagimi i plotë i Ramës

Disa rrjedhime logjike nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

1. Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë apo jo

2. Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo

3. Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo

Pika 1 dhe 2 janë të sigurta, pika 3 mbetet për t’u parë, ndërkohë le të urojmë që kushdo ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim, për vite me radhë.

Screenshot 261
Screenshot 261

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb