Tirana pësoi humbjen e radhës dje në kampionat, ndërsa përballë kishte Bylisin. Trajneri Ardian Nuhiu debutoi në mënyrën më të keqe, pikërisht në stadiumin “Selman Stërmasi”. Rezultati 0 me 2 në favor të klubit ballshiot, bën që bardheblutë të mbeten në vendin e parafundit me 6 pikë.

Asnjëherë më parë në historinë e saj, Tirana nuk ka grumbulluar vetëm 6 pikë në përfundim të dhjetë javëve kampionat. Një shifër e cila shoqërohet me golavarazhin negativ -9, pasi janë pikërisht bardheblutë që kanë pësuar më tepër gola.

Të gjitha këto statistika negative, “harrohen” ndaj Partizanit. Tirana i kishte si shpëtim rivalët e përjetshëm në fazën e parë, pasi jo vetëm që u shënoi tre gola, por edhe nuk pësoi. Kështu njësoj si në edicionin e kaluar ku të kuqtë nuk fituan asnjë  derbi, sërish pikët ndaj Partizanit janë jetike për mbijetesën. Ndaj “demave” është regjistruar fitorja e vetme e këtyre 10 javëve kampionat, që tashmë vlen shumë te llogaritë për mbijetesën.

Tirana ka provuar fazën “play-out” për herë të parë në vitin 1974 si vend i parafundit, ndërsa një rregullore e re e FSHF-së u pa si shpëtim për të mos rënë nga kategoria. Pozicionim po kaq i keq në renditje sa tani, është regjistruar në edicionin 2013/14 ku pas dhjetë javësh kishte gjithsesi më tepër pikë.

Viti 2017 ndërkohë konsiderohet më i errëti në historinë e klubit, pasi bardheblutë provuan për herë të parë Kategorinë e Parë. Edhe në sezonin 2018/19, Tirana luajti vetëm për të mos rënë nga kategoria. Asokohe grumbulloheshin 9 pikë pas dhjetë javësh. Edicioni i kaluar ishte po ashtu mjaft i vështirë, megjithatë në “play-out” mjaftoi një gol ndaj Pogradecit për të shpëtuar nga rënia.

Në të gjitha rastet e përmendura, Tirana grumbullonte më tepër se 6 pikë. Poshtë bardhebluve ndodhet aktualisht Flamurtari, me 1 pikë më pak. Në anën tjetër Partizani me 2 pikë më tepër mban vendin e “play-out”.

Krahasimi pas 10 javësh me sezonet më të vështira:

Sezoni 2013/14: 10 pikë, vend i parafundit

Sezoni 2016/17, i rënies nga kategoria: 17 pikë, vend i katërt

Sezoni 2018/19: 9 pikë, vend i shtatë

Sezoni 2024/25: 11 pikë, vend i shtatë

Sezoni 2025/26: 6 pikë, vend i parafundit

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb