Forcat ushtarake ruse dhe ukrainase po zhvillojnë luftime edhe trup më trup për kontrollin e Pokrovskut dhe Kupianskut, dy qytete me rëndësi strategjike në frontin lindor të Ukrainës.

Në Pokrovsk, që njihet si “porta drejt Donetskut”, forcat speciale ukrainase po vazhdojnë beteja të ashpra me trupat ruse. Nëse Rusia arrin të marrë qytetin, forcat e Kremlinit do të mund të përparojnë më tej dhe të marrin nën kontroll të gjithë rajonin, duke forcuar ndjeshëm pozitat e tyre në lindje të vendit.

Një pushtim i mundshëm i Pokrovskut nga rusët do të përbënte fitoren më të madhe territoriale të Moskës brenda Ukrainës që nga rënia e Avdiivkës në fillim të vitit 2024, pas njërës prej betejave më të përgjakshme të luftës.

Në një njoftim të shërbimeve sekrete ukrainase mbi zhvillimet në frontin e Pokrovskut thuhet:

“Po zhvillohen luftime të ashpra me pushtuesit rusë. Pas një operacioni të suksesshëm zbarkimi, forcat speciale, të cilat kishin marrë pozicione të caktuara, çanë korridorin tokësor dhe u bashkuan me njësi të tjera speciale.”

Sipas njoftimit, po vijojnë misione shtesë në qytet, si dhe përpjekje për të frenuar sulmet ruse kundër linjave të furnizimit ukrainas në Pokrovsk.

Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se forcat e saj kanë epërsi në betejat rreth qytetit Kupiansk, në verilindje të Ukrainës.

Ministria pranoi gjithashtu sulmet e natës mbi objektiva në Ukrainë, duke pretenduar se kishin në shënjestër infrastrukturën energjetike që mbështet ushtrinë ukrainase.

Në shtator, Rusia kishte deklaruar se kontrollonte rreth gjysmën e Kupianskut.

Ky qytet është një nyje kyçe logjistike dhe transporti, i cili u pushtua nga rusët në javët e para të agresionit, por më pas u rimar nga Ukraina pas një kundërofensive të shpejtë në të njëjtin vit.

Megjithatë, Ukraina ka mohuar më parë pretendimet e Rusisë për fitore apo përparime të reja në zonën e Kupianskut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb