Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar “arkitekt të korrupsionit” dhe duke e krahasuar situatën në Shqipëri me rastin e ish-kryeministrit të Portugalisë, Antonio Costa.
“Ai është arkitekti i korrupsionit. Dua të jap një shembull për njeriun që sot është numri tre i Bashkimit Europian, Antonio Costa. Shqiptarët e mbajnë mend se ai u hetua për një çështje, ndërsa nuk u mor kurrë në hetim. Prokuroria përmendi emrin e tij për ta hetuar dhe ai menjëherë dha dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Portugalisë. Ai tha: ‘Nuk mund të njollos shtetin për shkak të figurës time.’ Sot ai është presidenti i Këshillit të Europës. Ai reagoi si një europian, dha dorëheqje,” – deklaroi Bardhi.
Sipas tij, ndryshe nga Costa, kryeministri Rama ka zgjedhur të emërojë si zëvendës të tij një person që, siç tha Bardhi, “e ka të provuar akuzën për shkelje të barazisë në tendera”.
