Kreu i PD, Sali Berisha, theksoi se është mashtrim nëse përgjegjës kryesor për tenderat nxirret Balluku dhe sipas tij, jo Rama.
Ai shton se Unaza e Madhe u nda në 14 tendera gjë që sipas tij, është korrupsion i çmendur.

“Por do të mashtronim shqiptarët nëse do të njihnim si përgjegjëse të parë Lubinën dhe jo Ramën. Prokurori i çështjes ka treguar kurajë për zbatimin e ligjit. Ai ka marrë kërcënime direkte nga telefoni i Ulsi Manjës.

Dhe është e vërtetë që prokurori i çështjes duhej të formulonte të njëjtën akuzë që ka bërë ndaj Lubinës. Do të ishim të pandershëm po të mendonim se ata janë prej guri. Nuk janë prej guri, por ai e bëri punën e vet. Ai tha se tuneli i Llogarasë është një vjedhje e tmerrshme, dhe ne kemi të gjitha dokumentet që vërtetojnë se kryehajduti është Rama.

Lubia ka 20 dosje në SPAK. Ajo mori Unazën e Tiranës, një segment prej 13 kilometrash, dhe e ndau në 14 tendera – një çmenduri korrupsioni. Një njeri në botë që e bën këtë ose është i papërmbajtur, ose e bën me qëllim, sepse është e qartë që bëhet fjalë për vjedhje, vetëm për vjedhje.

Po përsëri, tuneli i Llogarasë është vjedhje, sepse Rama me Ballukun ishin atje, me “sulltanin”, siç e quajnë. Ata thanë se “u takuam me kompanitë” dhe bënë skemën më të turpshme: anuluan tenderin prej 140 milionë, e rihapën përsëri dhe erdhën me 180 milionë. Në kundërshtim me ligjin, morën edhe Gjokën si nënkontraktor.

Duhet ta dini një gjë: kjo skemë është përdorur pothuajse në çdo tender publik në Shqipëri. Si ka ndodhur? Operatorët kanë shkuar me oferta të caktuara dhe në këtë rast u demaskua sepse rasti ishte i hapur. Por kjo skemë ka ndodhur në çdo punë publike, dhe e kemi denoncuar shumë herë.” tha Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb