Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra një zyrtar të emëruar nga ministria që drejton zv/kryeministrja Belinda Balluku.
Mësohet se sot u vendos lirimi i Ermal Nufi, anëtar i këshillit drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përfaqësues i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Më herët Nufi ishte zëvendës sekretar i përgjithshëm i Kryeministrisë, kryetar i Bordit Menaxhues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe ex-officio kryeson Bordin e Agjencisë Shtetërore të Informacionit Gjeo hapësinor.
Në gusht 2022 Nufi ishte emëruar shef kabineti i Belinda Ballukut.
Në faqen zyrtare të qeverisë thuhet se Ermal Nufi mban pozicionin e Drejtorit të Kabinetit të Zv/Kryeministrit prej Gushtit të 2022, por nuk është e qartë nëse e mban ende këtë detyrë.
Me shkarkimin e Nufit, qeveria vendosi dhe emërimin e Viola Haxhiademi anëtare të këshillit drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përfaqësues i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sipas faqes së kryeministrisë, ajo mban pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë që prej muajit Korrik 2019, ndërsa më parë ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
