Presidenti i SHBA-së , Donald Trump, e përdori fitoren e Zohrab Mamdanit si kryetar bashkie i Nju Jorkut si një mundësi për të sulmuar politikën e krahut të majtë, duke thënë se demokratët kishin “instaluar një komunist” për të udhëhequr qytetin. Duke folur në një konferencë ekonomike në Miami, Trump tha se qyteti i Nju Jorkut, nën udhëheqjen e tij të re, ishte në një rrugë të rrezikshme.
“Komunistët, socialistët marksistë dhe globalistët patën shansin e tyre dhe nuk sollën gjë tjetër veçse shkatërrim. Dhe tani le të shohim se si do të veprojë një komunist në Nju Jork. Do të shohim se si do të zhvillohet kjo”, tha Trump.
Trump i përdori zgjedhjet e Nju Jorkut për të përforcuar kritikat e tij më të gjera ndaj demokratëve dhe politikave të tyre. “Nëse doni të shihni se çfarë duan t’i bëjnë demokratët në Kongres Amerikës, thjesht shikoni rezultatet e zgjedhjeve të djeshme në Nju Jork – ku partia e tyre instaloi një KOMUNIST si kryetar bashkie… kundërshtarët tanë janë të vendosur ta shndërrojnë Amerikën në një Kubë komuniste ose në një Venezuelë socialiste.”
Ai komentoi se votuesit amerikanë duhet të zgjedhin “midis komunizmit dhe logjikës së shëndoshë”. Madje bëri një koment të hidhur se Miami mund të bëhej një strehë për “ata që ikin nga komunizmi në Nju Jork”.
Duke iu referuar ekonomisë, Trump vlerësoi arritjet e administratës së tij, duke thënë se Amerika është në një “epokën e artë”, me “ekonominë më të fortë, kufijtë më të fortë dhe ushtrinë më të fortë”. Ai pretendoi se “triliona dollarë” po kthehen në vend, ndërsa iu referua investimeve të rinovuara industriale dhe sigurisë më të fortë kufitare.
Edhe pse Trump u zhvendos në Florida në vitin 2019, ai vazhdoi të theksonte “rënien” e Nju Jorkut, të cilën ia atribuon udhëheqjes demokrate. Ai shpesh i është referuar Nju Jorkut dhe karrierës së tij personale si biznesmen në Manhattan, duke menaxhuar monumente të tilla si Kulla Trump dhe rinovimin e Pistës së Akullit Wollman në Central Park.
Në mbyllje të fjalimit të tij, Trump përsëriti se dëshiron ta shohë Nju Jorkun të ketë sukses pavarësisht drejtimit të ri të qytetit. “Ne do t’i ndihmojmë pak,” tha ai. “Çdo ditë administrata ime do të luftojë, luftojë, luftojë dhe Amerika do të fitojë, fitojë, fitojë.”
