Mëngjesin e sotëm, në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, e ftuar ishte avokatja Greta Ambeli, e cila foli për temën e aksidenteve rrugore dhe dëmshpërblimeve që mund të përfitojnë qytetarët në raste të tilla.
Ambeli theksoi se është vërejtur një rritje e ndjeshme e numrit të aksidenteve, duke nënvizuar se një nga arsyet kryesore mbetet sjellja e pakujdesshme e drejtuesve të mjeteve.
“Ka një numër të shtuar aksidentesh dhe një prej tyre është sjellja e pakujdesshme e drejtuesve të mjeteve që, edhe pse kanë leje drejtimi, shpesh nuk i dinë rregullat. Kemi raste kur kalohet në vetëbesim të tepruar dhe neglizhencë, ku edhe pse e dinë që në zonat e banuara nuk mund të lëvizin me më shumë se 40 km/h, ata e shpërfillin këtë rregull dhe shkaktojnë aksidente shpesh fatale”, deklaroi ajo.
Avokatja gjithashtu sqaroi se në rastet kur drejtuesi i mjetit ndodhet nën efektin e alkoolit apo drejton pa leje, dëmi fillimisht mbulohet nga kompania e sigurimit, por më pas kompania ngre padi regresi për të rikuperuar shumën e paguar.
“Në fund është qytetari ai që paguan”, theksoi Ambeli, duke apeluar për më shumë ndërgjegjësim dhe respektim të rregullave të qarkullimit rrugor.
