Një rrjet ndërkombëtar i trafikut të drogës, i drejtuar nga mafia shqiptare, është goditur nga një operacion i përbashkët i Policisë Kombëtare dhe Gardës Civile spanjolle. Hetimi, i koduar “Enroque Bal/Manso”, ka zbuluar një strukturë kriminale të sofistikuar që e kishte shndërruar ishullin e Ibizës në një qendër logjistike për trafikun e drogës në Europë.

Sipas hetimeve, organizata përdorte Ibizën si pikë grumbullimi për kokainën dhe hashashin që hidhej në det nga anije tregtare që vinin nga Amerika e Jugut dhe Maroku. Droga mblidhej nga skafe të fuqishme, me tre motorë prej 300 kuaj fuqi secili, të pajisura me GPS, të cilat vepronin kryesisht natën për t’iu shmangur patrullave detare. Çdo udhëtim transportonte deri në 750 kilogramë drogë të mbajtur në çanta të zhytura dhe të identifikuara me drita e koordinata të parapërcaktuara.

Pas grumbullimit, ngarkesat ruheshin në struktura të fshehta në Ibiza dhe më pas shpërndaheshin drejt Majorkës, Valencias dhe destinacioneve të tjera evropiane. Hetimi zbuloi se kjo metodë ishte përdorur të paktën 43 herë, duke gjeneruar fitime që kalonin 25 milionë euro.

Në total, autoritetet sekuestruan 687 kilogramë kokainë, 2.500 kilogramë hashash dhe 1.5 milionë euro në para, por hetuesit besojnë se rrjeti kishte trafikuar sasi shumë më të mëdha: mbi 2 tonë kokainë dhe 5.6 tonë hashash vetëm në Majorka.

Një detaj i pazakontë u zbulua gjatë operacionit: disa pako me kokainë kishin të ngjitur fotografinë e presidentit rus, Vladimir Putin, një shenjë karakteristike që përdoret nga rrjetet ndërkombëtare të drogës për të identifikuar origjinën e ngarkesës. Hetimi ka zbuluar se rrjeti i drejtuar nga elementë shqiptarë kishte ngritur një strukturë të ndërlikuar që përfshinte klane nga Mali i Zi dhe Europa Lindore, duke krijuar një linjë direkte trafiku nga Maroku në Ibiza, pa ndërmjetës në gadishullin Iberik. Nga aty, droga shpërndahej përmes klaneve spanjolle Son Banya, La Soledat dhe Corea, për t’u transportuar më pas në Itali, Gjermani dhe Francë.

Rrjeti funksiononte si një kompani logjistike kriminale, me sektorë të veçantë për shpërndarjen, transportin, kontabilitetin dhe pastrimin e parave. Fitimet e mëdha kanalizoheshin përmes blerjes së hoteleve në Majorka, Pamplona dhe Almansa, duke i dhënë aktivitetit kriminal pamjen e një biznesi të ligjshëm turistik.

Në mesin e mbi 100 personave të arrestuar, ndodhen figura me peshë të madhe brenda dhe jashtë sistemit, përfshirë Faustino Nogales, inspektor i Policisë Kombëtare, i akuzuar për rrjedhje informacioni sekret dhe paralajmërim të grupit për operacionin policor. Arrestime u bënë edhe ndaj avokatit Gonzalo Márquez, i konsideruar truri financiar i skemës, si dhe ndaj Milojeviç, një nga drejtuesit kryesorë të rrjetit. Të tre ndodhen aktualisht në burgim parandalues që nga muaji gusht.

Operacioni “Enroque Bal/Manso” konsiderohet një nga goditjet më të mëdha ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës në Spanjë. Hetimet kanë nxjerrë në dritë ndikimin dhe përfshirjen e mafias shqiptare në rrjete kriminale ndërkombëtare që shtrihen nga Amerika e Jugut deri në qendër të Europës. Sipas autoriteteve spanjolle, struktura e zbuluar përfaqëson “një nga organizatat më të fuqishme dhe më të organizuara që është zbuluar ndonjëherë në territorin spanjoll”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb