Seanca plenare e Kuvendit u shoqërua me tensione dhe kërkesa për ndërprerje, pas debatit të fortë mes mazhorancës dhe opozitës.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, kërkoi nga drejtuesi i seancës ndërprerjen e menjëhershme të punimeve, duke theksuar se ishte e detyrueshme procedurialisht që seanca të ndalej për shqyrtimin e një kërkese të opozitës.
“Nënkryetari kërkoi që të ndërpritet seanca plenare. Je i detyruar të veprosh kështu. Ndërpre seancën, pastaj vazhdojmë,” – u shpreh Topalli.
Në përgjigje, drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, tha se një ndërprerje mund të bëhej vetëm nëse kërkesa vinte zyrtarisht në emër të grupit parlamentar të PD-së, duke shtuar se ishte i gatshëm të jepte një pushim të shkurtër për verifikimin e materialeve filmike të diskutueshme.
“Nëse vjen kërkesa në emër të grupit të PD, patjetër që do t’ju japim ndërprerjen e seancës. Ju më sugjeruat të kërkoj kohë për të verifikuar videon. Nëse kërkoni një pushim… është e pamundur t’ju dëgjoj të gjithëve. Nëse keni nevojë për ndërprerje, japim 10 minuta pushim,” – deklaroi Peleshi.
Pas këtij momenti, seanca u ndërpre për disa minuta, për t’u rikthyer më pas në rendin e ditës.
