Medon Berisha është lojtari më i vlerësuar në fundjavën e fundit në Serinë A. Mesfushori kuqezi ishte përcaktues me golin e tij ndaj Fiorentinës, në “Artemio Franchi”, duke i dhuruar 3 pikë të arta skuadrës verdhekuqe. Goli i dytë në 3 ndeshjet e fundit, që kanë bërë që në Itali të flitet vërtet shumë e pozitivisht për mesfushorin e kombëtares tonë. Një rritje progresive e tij, që nga alternativë nga stoli, këtë sezon ai është një titullar fiks së bashku me Ylber Ramadanin. Ndaj Fiorentinës jo vetëm goli përcaktues që i dha Lecces 3 pikë tepër të rëndësishme, por edhe një performancë tepër pozitive, e vlerësuar në përfundim të ndeshjes nga mediat italiane me notën 8.

Në këtë mënyrë Berisha bëhet lojtari më i vlerësuar i javës së 10 në Serinë A, duke lënë pas futbollistë të rëndësishë, që gjithashtu bën shumë mirë këtë fundjavë, si portieri i Milani Maignan, Santigago Castro, apo Mattia Zaccagni. Pas supergolit ndaj Udineses 2 javë më parë që ishte i pari edhe në Serinë A, duket se Medon Berisha fitoi besimin e duhur se falë kualitetit që posedon mund të bëjë diferencën në fushë, duke qenë përcaktues jo vetëm me lojën e tij por tashmë edhe me golat e shënuar.

Forma e tij e mirë nuk ka mbetur pa rënë në vëmendjen e klubeve të tjera në Itali e jo vetëm. Gjë të cilën e konfirmon edhe vetë Drejtori Sportiv i Lecces, Pantaleo Corvino, që në një intervistë të dhënë së fundmi tha: Po, për lojtarët e dalë nga akademia jonë ka oferta, një ndër to është edhe Medon Berisha. Do ti vlerësojmë. Më vjen mirë për perfromancën e tij në fushë, e cila është fryt i një pune të bërë shumë mirë në sektorin e të rinjve të klubit tonë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: