Partizani është përballur me katër dëmtime të rënda gjatë këtij sezoni. Bëhet fjalë për Albers Kekon, Amos Nondin, Mateo Çipin dhe Karlos Martinezin. Ky i fundit pritet të kthehet pas më tepër se dy muajsh mungesë, pasi theu dorën në stërvitje.

KEKO- Sulmuesi ishte ndër të preferuarit e trajnerit Skënder Gega. Keko fitoi besimin si titullar, ndërsa u aktivizua në ndeshjen me Kaljun në Estoni. Në pjesën e parë u detyrua të largohet nga fusha e blertë me barelë dhe lot në sy. Vendin e tij e mori Elson Himallari, vetëm 16 vjeç. Për të ishte një debutim historik. Keko iu nënshtrua operimit dhe do të kthehet në vitin 2026.

NONDI- Partizani afroi një mesfushor, i cili që në stërvitjen e parë tregoi aftësi dhe u shfaq si element që do të ishte i rëndësishëm. Mesfushori nga Kenia u dëmtua që në javën e parë te Partizani. Nondi mbylli vitin 2025 akoma pa debutuar. Pas Kekos ishte ai që iu nënshtruar operacionit. Një humbje e madhe duke pasur parasysh besimin e madh që qëndronte tek ai.

MARTINEZ- Partizani afroi një futbollist nga Kosta Rika, i cili kishte që në qershor me skuadrën. Në ditët e fundit të muajit gusht, Martinez theu dorën. Dëmtim i rëndë për të, që ka humbur më shumë se dy muaj në fushë. Partizani lëvizi shpejt për zëvendësuesin dhe kështu vetëm disa ditë më vonë u afrua Albion Marku, që rezultonte i lirë. ÇIPI- Dëmtimet që kanë zgjatur disa javë janë të shumta te Partizani. Kjo pjesë e shkrimit prek vetëm ata që i kanë munguar apo do i mungojnë Partizanit për një kohë të gjatë. Një prej tyre është edhe Çipi. Kërnaja i dha mundësinë të fitonte minutat e para ndaj Flamurtarit në Vlorë. Aty u dëmtua rëndë dhe u largua mes dhimbjeve. Tashmë është me paterica dhe koha për t’u rikuperuar do të jetë e gjatë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb