Ambera Saliji, një shtetase shqiptare nga Maqedonia e Veriut, është vënë në pranga në Itali pasi akuzohet për përfshirje në vrasjen e 17-vjeçarit shqiptar Ismail Luli, ngjarje që ndodhi në korrik të vitit 2015 në Sant’Angelo in Vado, në provincën Pesaro-Urbino. Më herët, ajo ishte dënuar me pesë vjet e tre muaj burg.
Hetimet dhe vendimi i gjykatës kanë treguar se Ambera dyshohet se ka luajtur rolin e joshëses, duke e tërhequr viktimën në një kurth, ndonëse nuk ka marrë pjesë drejtpërdrejt në ekzekutimin e tij. Autorët kryesorë të krimit, dy shqiptarë të tjerë, u arrestuan pak orë pas ngjarjes dhe janë dënuar me burgim të përjetshëm.
Sipas dosjes hetimore, konflikti kishte nisur pas një mosmarrëveshjeje mes Ismailit dhe njërit prej autorëve. Me pretendimin se donte të sqaronte situatën, Ambera i ishte afruar të riut dhe e kishte ftuar në një takim. Ajo e kishte shoqëruar deri te stacioni i autobusit, ku e prisnin Igli Meta dhe Marijo Mema – personat që më pas e torturuan dhe e vranë.
Arrestimi i Ambera Salijit u realizua nga Karabinierët pas ekzekutimit të një urdhri të lëshuar nga Prokuroria e Urbinos, në një kohë kur ajo po përgatitej të largohej drejt Maqedonisë së Veriut.
