Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i kërkon Belinda Ballukut të dorëhiqet dhe të bëhet e penduara e drejtësisë, pas marrjes të pandehur nga SPAK. Bardhi tha se Balluku iu fsheh Kuvendit sot, ku opozita e kërkoi në interpelancë urgjente për aferën e tunelit të Llogarasë, por socialistët rrëzuan kërkesën.
Bardhi i bëri thirrje Ballukut që të publikojë mesazhet e Edi Ramës dhe t’i dërgojë ato në SPAK, si pjesë e hetimit për aferën e tunelit të Llogarasë dhe abuzime të tjera.
“Kush bashkëpunon me drejtësinë, ka gjithmonë lehtësira”, thekson Bardhi në reagimin e tij.
Reagimi i Bardhit
E pandehura në ilegalitet!
Me akuzën penale të abuzimit në tendera, e pandehura Belinda Balluku ka frikë të vijë në Parlament dhe të japë llogari për vjedhjen 50 milionë euro të Tunelit të Llogarasë.
Me të drejtën që na jep ligji, kërkuam interpelancë urgjente me Belinda Ballukun, por ajo është futur në tunel dhe s’ka ndërmend të dalë prej tij derisa të sigurohet se e ka nënshtruar plotësisht Edi Ramën përmes shantazhit.
E shkarkon ose jo Edi Rama, Belinda Balluku ka një rrugë të gjatë për të bërë në dyert e SPAK-ut, por çdo zyrtar publik e ka detyrim që përpara se të japë llogari në prokurori e gjykatë, t’u shpjegojë qytetarëve që përfaqësohen në Kuvend nga deputetët e tyre.
Heshtja dhe shfaqja si në normalitet, tregon dy gjëra: së pari, Belinda Balluku e ka kryer krimin me vetëdije të plotë. Së dyti, me angazhimin e saj direkt të paligjshëm dhe kriminal janë vjedhur 50 milion euro.
Belinda Balluku bën një gabim të madh duke u fshehur në tunel. Mesazhet që i dërgon Edi Ramës për t’i treguar atij se krimin e kanë bërë bashkë, nuk ia heqin dot akuzën penale. Po i jap një këshillë falas: Dorëhiqu dhe Pendohu Belinda! Mesazhet e Edi Ramës bëji publike dhe çoji më SPAK! Kush bashkëpunon me drejtësinë, ka gjithmonë lehtësira!

