Një depo e vogël armësh në Vjenë, vetëm pesë pistoleta dhe dhjetë karikatorë, mund të fshehë një histori shumë më të madhe: një rrjet pan-evropian infrastrukture që, sipas shërbimeve europiane të inteligjencës, lidhet me Hamasin dhe ka qenë aktiv për të paktën gjashtë vjet.
Zbulimi i autoriteteve austriake, që çoi në arrestimin e një britaniku 39-vjeçar, është pjesë e një sërë evidencash që tregojnë se Hamas kishte vendosur depo “rezervë” armësh në vende të ndryshme evropiane, nga Bullgaria dhe Polonia e deri te Danimarka dhe tani Austria.
Sipas një njoftimi të qeverisë austriake, Drejtoria e Sigurisë Shtetërore dhe Inteligjencës (DSN) gjeti depot në një hapësirë me qira në Vjenë, si pjesë e një operacioni ndërkombëtar kundër një rrjeti që “lidhet me Hamasin”.
“Rasti aktual tregon edhe njëherë se DSN ka një rrjet ndërkombëtar të shkëlqyer dhe merr masa të vazhdueshme kundër çdo forme ekstremizmi.
Misioni është i qartë, tolerancë zero ndaj “terroristëve,” deklaroi ministri austriak i Brendshëm, Gerhard Karner.
Autoritetet mendojnë se armët mund të kenë qenë të destinuara për sulme kundër organizatave izraelite ose hebraike në Europë, duke konfirmuar shqetësimet që kanë shprehur prej muajsh edhe shërbimet gjermane të sigurisë.
Rasti i Vjenës nuk është i pari që nxjerr në dritë ekzistencën e depove të tilla.
Sipas burimeve, që nga prilli i 2019-s autoritetet gjermane kanë gjetur shenja të një përpjekjeje të organizuar nga Hamasi për të krijuar depo “nën tokë” armësh në Europë.
Dokumentet gjermane të hetimit tregojnë se Ibrahimi Elrasatmi, i dyshuar si agjent i Hamasit, udhëtoi në Liban për të marrë urdhra nga Brigadat Al-Qassam. Urdhrat ishin të qarta: të krijohej një depo armësh në Bullgari, pranë Plovdivit.
Një muaj më pas, Elrasatmi shkoi në Bullgari, ku dyshohet se mbolli një kuti me katër pistoleta, një kalashnikov, një shtypës zëri dhe një sasi municionesh. Më tej në udhëtimet në Danimarkë dhe Itali, ku krijoheshin ose zbuloheshin fshehëse të ngjashme.
Hetimet tregojnë se këto depo u aktivizuan sërish në maj të 2023-s, disa muaj para sulmit të Hamas ndaj Izraelit më 7 tetor. Sipas autoriteteve gjermane, agjentë të organizatës filluan të mblidhnin armët e ruajtura në Poloni, Bullgari dhe vende të tjera.
Hetuesit mendojnë se kjo lëvizje lidhej me përgatitjet për sulmin ndaj Izraelit, por edhe me veprime paralele të mundshme në territor evropian.
“Në USB-të e sekuestruara u gjetën prezantime PoëerPoint me tituj si ‘Drejtoria Danimarkë’, dhe në disqet e forta u gjetën dosje me urdhra për sulme në pika të caktuara në Gjermani, përfshirë ambasadën izraelite në Berlin, bazën amerikane Ramstein dhe zonën e aeroportit Tempelhof,” thuhet në raportet.
Zbulimi i depos në Vjenë ringjall debatin për depërtimin e rrjeteve terroriste në Evropë. Autoritetet theksojnë se, edhe nëse armët janë të pakta në numër, ato mund të përdoren për sulme simbolike me impakt të lartë, ndaj shkollave hebreje, ambasadave apo komuniteteve.
Analistët vënë në dukje se strategjia e Hamasit duket të jetë krijimi i bërthamave të decentralizuara, të pavarura nga Gaza, por që mund të aktivizohen nga distanca kur të kërkohet.
Bashkëpunimi midis shërbimeve austriake, gjermane dhe izraelite të inteligjencës është forcuar në muajt e fundit. Në janar 2024, shërbimet izraelite bërë një paralajmërim publik të rrallë për një plan sulmi ndaj ambasadës izraelite në Stokholm, nga një agjent i Hamas që vepronte nga Suedia.
“Depotë armësh nuk janë vetëm mbetje të së shkuarës; ato përbëjnë infrastruktura operative të mundshme,” paralajmëroi një zyrtar evropian i sigurisë që njeh hetimet.
Hetimet evropiane tregojnë se Hamas e sheh kontinentin si një fushë rezervë veprimi — jo domosdoshmërisht për sulme masive, por për operacione me simbolikë që mund të përdoren si levë presioni politik.
Rasti i Vjenës, megjithëse i vogël në shkallë, zbulon praninë e një infrastrukture nënvështruese që ende nuk është zbuluar plotësisht. Për shërbimet e sigurisë europiane, synimi tani është i qartë: të hartojnë dhe të neutralizojnë çdo nyje të kësaj vargjeje përpara se ajo të kthehet në një front real në zemër të Europës.
