Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i ftuar në studion e emisionit “Log” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me përgjimet e publikuara për zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila po hetohet nga SPAK për një tender me vlerë 50 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Balliu deklaroi se paratë publike janë shpërndarë në mënyrë abuzive, ndërsa kompania që ka përfituar tenderin nuk ka realizuar asnjë punë konkrete në terren.

“Paratë e buxhetit të shtetit i kaluan kompanisë turke që nuk ka bërë asnjë punë te tuneli i Llogarasë, dhe këtë e ka bërë Belinda Balluku,” u shpreh Balliu.

Deputeti demokrat shtoi se për të siguruar që “vjedhja të shkonte vaj”, është përzgjedhur një kompani supervizore që sipas tij kontrollohej në prapaskenë nga Evis Berberi, ish-drejtor i ARRSH-së, i cili ndodhej në konflikt të pastër interesi.

“Për t’u siguruar që vjedhja do shkojë vaj, zgjodhën supervizore kompaninë që në hije drejtohej nga Evis Berberi, shoku i saj. Në atë kohë Berberi ishte drejtor i ARRSH. Ky që bën gjithçka që do Belinda ishte edhe supervizori. Kjo është pjesa e vjedhjes së parave,” shtoi Balliu.

Sipas tij, një nga aspektet më të rënda të aferës është mungesa e kolaudimit, procesi i fundit që garanton sigurinë e rrugës për përdorim publik.

“Në çdo investim infrastrukturor, kolaudimi është moment jetik sepse përcakton nëse rruga është e sigurt apo jo. Nëse nuk bëhet kolaudimi, nuk dimë nëse rruga është e sigurt dhe rrezikohet jeta e qytetarëve. Ajo rrugë është hapur duke rrezikuar jetën e shqiptarëve vetëm që këta të mbushin xhepat me paratë e shqiptarëve,” theksoi ai.

Balliu shtoi se dokumentet që provojnë këto abuzime janë “të pakundërshtueshme” dhe se asnjë deputet i mazhorancës nuk ka dalë në Kuvend për t’i hedhur poshtë akuzat.

“Këto dokumente janë të pakundërshtueshme. Asnjë socialist nuk doli në Parlament të thotë se këto nuk janë të vërteta,” përfundoi Balliu.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb