Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat nga selia blu, ka njoftuar se opozita do të ndërmarrë hapa të rinj në atë që ai e quajti “luftë kundër asgjësimit të parlamentarizmit në vend”.

Berisha akuzoi mazhorancën se ka kaluar në “ekstrem” dhe se po pengon qëllimisht opozitën të ushtrojë funksionet e saj në Kuvend.

Ai shtoi se kjo situatë përbën “shkelmim të Kushtetutës, rregullores së parlamentit dhe mohim të të drejtave të opozitës”, ndërsa theksoi se qeveria nuk po mban më as interpelanca, as me kryeministrin dhe as me ministrat.

Në këto kushte, Berisha tha se do t’i propozojë grupit parlamentar të PD-së dhe strukturave të partisë që opozita të hapë një “platformë parlamentare” para ndërtesës së Këshillit të Ministrave. Sipas tij, ky është “një hap i domosdoshëm për t’iu përgjigjur represionit ndaj opozitës në parlament, shkeljes së pluralizmit dhe shkelmimit të ligjeve e Kushtetutës”.

“Narkomazhoranca apo pseudomazhoranca ka kaluar në ekstrem.
Në parlament nga 9 seanca të zhvilluara, me gjithë angazhimin më serioz të opozitës në çdo komision, në çdo seancë, ju jeni dëshmitarë se opozita është lejuar të diskutojë vetëm në një seancë, çka do të thotë de facto asgjësim i parlamentit dhe parlamentarizmit.
Çka do të thotë shkelmim i Kushtetutës, rregullores së parlamentit, rendit kushtetues të vendit.
Çka do të thotë mohim i të drejtave të opozitës.
Plas çdo skandal, jo tanimë kryeministri, por as ministrat nuk paraqiten në interpelancë.
Në këto kushte do i sugjeroj grupit parlamentar dhe partisë që opozita të hapë platformën parlamentare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave dhe aty deputetët e opozitës, qytetarët, të paraqesin në fjalimet e tyre të gjitha mendimet, propozimet, denoncimet.
Pas 9 seancash, opozita është lejuar të debatojë vetëm një ditë në parlament.
Atëherë ne kalojmë në debat me qytetarët.
Kjo përbën një hap të domosdoshëm për t’iu përgjigjur represionit në parlament të opozitës, të pluralizmit, shkelmimit të ligjeve, të Kushtetutës, në funksionimin e këtij institucioni.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb