Rektori i Universitetit “Luarasi”, E’them Ruka iu tha studentëve se marrja e diplomës së LSE do të jetë një dokument i rëndësishëm për të ardhmen e tyre.
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë për çeljen zyrtarisht të programeve Bachelor të London School of Economics në Universitetin “Luarasi”, Ruka e vuri theksin tek ajo që është më e rëndësishmja për një student, se çfarë do të ndodhë më të pas përfundimit të studimeve.
Rektori i “Luarasit” tha se diploma e LSE është një garanci për punësim të shpejtë si në Shqipëri ashtu edhe në shtetet e tjera të botës.
“Unë mendoj se kjo është një përpjekje kombëtare për të arsimuar djem dhe vajzat shqiptare dhe për t’ju dhënë një diplomë dinjitoze. As vetë nuk e imagjinoni se çfarë zgjedhje keni bërë dhe sa shumë pishman bëhen ata që u tërhoqën rrugës për shkak të hezitimeve të ndryshme.
E dini se sa vlerë kanë diplomat që do të merrni. Do të mburresh me të, do të identifikoheni me të, dhe portat do të jenë më të hapura për ju në tregun e punës, këtu në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të botës.
Nga ky universitet, London School of Economics kanë dalë personalitete, kryeministra, presidentë, në mos gaboj edhe 5 kryeministra të Mbretërisë së Bashkuar”, deklaroi më tej, Ruka.
“Për të mbërritur te kjo ceremoni ka qenë një udhëtim i gjatë e i lodhshëm. Ka vite përpjekje që kur është ideuar sjellja e LSE në Shqipëri, promotorja ka qenë presidentja Fabiola Hysenbelliu që ka qenë student e shkencave ekonomike në LSE dhe e shkencave politike. Ky rrugëtim na është dukur i pafund, kemi investuar aq shumë mund, kemi kaluar disa borde në mënyrë të shkëlqyer dhe kemi pasur vështirësi në Shqipëri në një moment kur arsimi i lartë duhet të ndërkombëtarizohet. Vështirësia ka qenë se ligjet shqiptare janë të ngurta dhe të pengojnë të sjellësh shkolla të huaja në Shqipëri. Kam trokitur te kryeministri i vendit dhe i kam shpjeguar se LSE është një nga shkollat më të mira në botë, jo në Britani. Ka nxjerrë një sërë personalitetesh që ka nxjerrë liderë, 5 kryeministra të mbretërisë së Bashkuar, një shkollë që ka disa çmime Nobel me punonjësit e saj. KJo është një pasuri për vendin, nuk kanë të gjithë mundësinë të shkollojnë fëmijët në Londër.
Unë e konsideroj një sukses për Universitetin Luarasi. Nëse kjo shkollë britanke nuk do kishte bindjen e një partneri serioz si Luarasi nuk do kishte ardhur. Kjo është vlera e Luarasit, që ka sjellë një nga shkollat më të mira në botë. Ja ku e keni këtu në Shqipëri. Çdo fillim është i vështirë, ka mosbesim te njerëzit, e kemi shpjeguar dhe po është diplomë e njëjtë. Ju studentë të dashur jeni të njëjtë me studentët e Londrës. Diploma është e firmosur prej tyre dhe nuk ka asnjë ndryshim nga ajo që jepet në Londër. Kjo është një përpjekje për të arsimuar të rnjtë shqiptarë dhe t’u japim një diplomë dinjitoze. E dini sa vlerë ka diploma që do merrni? Do mburreni, do identifikoheni me të dhe portat do jenë të hapura për ju. Prezenca e këtij universiteti të famshëm është pasuri për gjithë Shqipërinë. Jam i bindur se deri sot në Shqipëri nuk kanë ardhur programe më të mira se këto që kanë ardhur te Luarasi. Kanë ardhur te dera me një çmim simbolik, e pakrahasueshme me ato në Londër. Jam i sigurt se vitin tjetër do ketë dy-tre fishin e studentëve që janë këtë vit. Përfitoj nga rasti t’u uroj studentëve mirëseardhjen te Luarasi, një universitet që nuk ka njohur kurrë tkurrje, një nga universitetet më të mira në Shqipëri. Jeni me të vërtetë student të Luarasit dhe universitetit të Londrës. Prindërit të mos kenë asnjë merak, po bëjnë një nga shkollat më të mira në botë.
U drejtohem prindërve të maturantëve për vitin tjetër, muajt ecin shpejt, aplikimet fillojnë shpejt. Jo çdo student mund të hyjë tek LSE, ka nxënës ekselentë në Shqipëri dhe kam takuar nxënës brilantë që duhet të zhvillojnë inteligjencën e lindur që kanë. Shkolla na nxit, përvoja universitare është qindra-vjeçare, nuk imagjinohej të kishte Shqipëria në atë kohë. Paçi shumë fat, punoni shumë dhe nderoni veten dhe prindërit që sakrifikojnë për ju. Nëse punoni sistematikisht do ecni shkëlqyer dhe është një celës për jetën tuaj në dekadat që vijnë. Nuk u bëj thirrje të ikni, por bota është e jona, është në lëvizje. “, u shpreh Rektori i “Luarasit”, Et’hem Ruka.
