Aksionerët e Teslës kanë miratuar një plan shpërblimi që mund ta bëjë Elon Musk-un njeriun e parë trilioner në botë.

Pas një viti të trazuar dhe plot luhatje, si për kompaninë Tesla ashtu edhe për drejtorin e saj ekzekutiv, shumica dërrmuese e aksionerëve të kompanisë amerikane votuan për t’i dhënë Musk-ut aksione me vlerë gati një trilion dollarë (rreth 865 miliardë euro), me kusht që kompania, nën drejtimin e tij, të arrijë objektivat e kërkuara tregtarë gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm.

Më shumë se 75% e aksionerëve me të drejtë vote, të cilët u mblodhën në selinë e Teslës në Austin, Texas, e miratuan planin, pak kohë pasi Musk kishte “kërcënuar” se mund të largohej nga kompania.

Ashtu si edhe plani i mëparshëm i vitit 2018, edhe ky i ri përfshin 12 objektiva kryesorë, ndër të cilët Musk duhet të arrijë që vlera e Teslës në bursë të rritet nga 1,4 trilion dollarë që është aktualisht, në 8,5 trilion dollarë.

Ndër qëllimet më të veçanta të planit përfshihen shitja e një milion robotëve Tesla dhe dhjetë milion abonime me pagesë për softuerin e drejtimit autonom të kompanisë.

Duke falënderuar ngrohtësisht aksionerët për mbështetjen e tyre, Elon Musk deklaroi se ajo që po vjen për kompaninë “nuk është thjesht një kapitull i ri, por një libër krejtësisht i ri.”

Ky rezultat përbën një fitore të qartë për njeriun më të pasur në botë dhe tregon se investitorët vazhdojnë të besojnë tek ai, në një periudhë kur Tesla po përballet me rënie të shitjeve, të pjesës së tregut dhe të fitimeve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: