SHBA ka drejtuar gishtin drejt Iranit, pasi ky i fundit kishte planifikuar vrasjen e ambasadores së Izraelit në Meksikë, në një përpjekje për të zhvendosur konfliktin mes dy vendeve në një tjetër rajon.

“Plani u pengua dhe për momentin nuk përbën kërcënim,” deklaroi një zyrtar amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti.
Sipas këtij zyrtari, Gardistët e Revolucionit të Iranit kishin planifikuar vrasjen e Einat Kranz Naiger që nga fundi i vitit të kaluar, por tentativa u shmang dhe aktualisht nuk ekziston asnjë kërcënim.

Plani i vrasjes ishte aktiv gjatë gjysmës së parë të këtij viti, shtoi po i njëjti burim.
“Komploti u parandalua dhe nuk përbën kërcënim aktual,” theksoi zyrtari për Reuters.

Ai shtoi se kjo është vetëm episodi më i fundit në një histori të gjatë të vrasjeve dhe kërcënimeve ndaj diplomatëve, gazetarëve, disidentëve dhe çdo personi që kundërshton regjimin iranian, çka duhet të shqetësojë çdo vend ku ka prezencë iraniane.

Zyrtari nuk pranoi të tregonte se si u pengua plani i vrasjes dhe nuk dha detaje shtesë mbi operacionin. Misioni i Iranit në OKB në Nju Jork refuzoi të komentonte.

SHBA dhe aleatët e saj shpesh kanë deklaruar se Irani dhe përfaqësuesit e tij kanë synuar të kryejnë sulme të dhunshme ndaj kundërshtarëve të regjimit.
Shërbimet e sigurisë në Britani dhe Suedi paralajmëruan vitin e kaluar se Teherani përdorte agjentë kriminalë për të kryer sulme të dhunshme në këto vende, ndërsa Londra tha se kishte penguar 20 plane të lidhura me Iranin që nga viti 2022.

Vende të tjera kanë dënuar atë që e kanë cilësuar një rritje të planeve për vrasje, rrëmbime dhe ngacmime nga shërbimet iraniane të inteligjencës.
Kreu i shërbimeve britanike të kundër-spiunazhit, drejtori i përgjithshëm i MI5, Ken McCallum, deklaroi muajin e kaluar se Irani po përpiqej “me ngulm” të heshtte kritikët e regjimit iranian në të gjithë botën.

Ai theksoi se Australia kishte zbuluar përfshirjen e Iranit në plane antisemitike, ndërsa autoritetet holandeze kishin zbuluar një tentativë vrasjeje.
Izraeli ka qenë prej kohësh objektiv i Republikës Islamike, sidomos pas luftës mes Izraelit dhe Iranit, gjatë së cilës bombardues amerikanë goditën objektet bërthamore iraniane në qershor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: