Endrit Shabani ka reaguar pas debateve të fundit që kanë përfshirë ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato.
Përmes një reagimi publik, Shabani ka dalë në mbrojtje të diplomatit, duke e cilësuar atë si një nga mbështetësit më të mëdhenj të integrimit të Shqipërisë në familjen europiane.
“Shqiptarët janë populli më pro-europian, dhe aspirata për t’u bërë pjesë e familjes evropiane është po aq e vjetër sa shteti shqiptar. Në këtë rrugëtim të vështirë, pak kush i është gjendur Shqipërisë me aq përkushtim sa Ambasadori Silvio Gonzato, i cili është avokat i palodhur i integrimit tonë në BE,” – shkruan Shabani.
Ai e cilëson të padrejtë dhe të padenjë sulmin e fundit ndaj Gonzatos, duke e quajtur të papranueshme përdorimin e insinuatave mbi jetën private të një përfaqësuesi ndërkombëtar.
“Të godasësh një përfaqësues ndërkombëtar me insinuata për jetën e tij private nuk është politikë, dhe nuk ka asnjë lidhje me interesin publik. Është thjesht cënim i dinjitetit njerëzor,” – shton Shabani.
Në përfundim, ai paralajmëron se ky lloj mentaliteti përçarës dëmton shoqërinë shqiptare dhe e largon nga rruga europiane:
“Ky nuk është interesi i popullit shqiptar, dhe as i Shqipërisë,” përfundon Shabani.
