Shkrimtari dhe ish-kryetari i Parlamentit, Namik Dokle, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka treguar historinë e veçantë që e frymëzoi për të shkruar librin e tij më të fundit, “Asnjë trokitje në qiell”.

Dokle zbuloi se ideja për këtë vepër ka lindur që në vitin 2005, gjatë kohës kur ai mbante postin e zëvendëskryeministrit. “Ideja për të shkruar një libër të kësaj natyre më ka lindur në vitin 2005, para 20 vitesh. Ndodhi kur isha zv/kryeministër dhe ra borë e madhe në Shqipëri,” rrëfeu ai.

Ai kujtoi përvojën e asaj kohe, kur për shkak të kushteve ekstreme të motit, qeveria dërgonte ndihma në zonat e izoluara të vendit. “Kam udhëtuar në gjithë Shqipërinë për të ndihmuar në kapërcimin e situatës. Aty ku nuk kishte asnjë ndihmë, çonim ushqime me helikopter,” tha Dokle.

Një moment i veçantë nga ato ditë, sipas shkrimtarit, u ngulit thellë në kujtesën e tij dhe u bë pikënisja e romanit. “Në një fshat mes Mirditës dhe Lurës, në një zonë shumë të vështirë, na thanë që kishte mbetur vetëm një familje në një shtëpi të braktisur. Helikopteri nuk zbriste dot në tokë dhe hodhëm ushqimet nga lart. Kur u dëgjua zhurma e helikopterit, pashë ata njerëzit që dolën dhe prisnin çfarë do hidhej. Kjo pamje më ngeli në mendje dhe ata njerëz më kujtohen edhe sot si në një film,” tregoi ai.

Dokle tha se kjo përvojë reale u kthye në shtysë për të ndërtuar historinë e librit “Asnjë trokitje në qiell”. “Në këtë libër është ajo që një familje, për një arsye të caktuar, është mbledhur në një shtëpi të braktisur dhe pret të vijë një trokitje nga qielli,” u shpreh autori.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb