Ministri grek për Mbrojtjen e Qytetarëve, Michalis Chrysochoidis, ka njoftuar nisjen e një fushate të re antikrim në ishullin turistik të Kretës, pas një serie incidentesh me armë zjarri që lanë dy të vdekur dhe gjashtë të plagosur. Fushata parashikon dërgimin e një njësie elitë kundër krimit të organizuar dhe shtimin e kontrolleve për armëmbajtje pa leje. “Gota është mbushur plot dhe po derdhet. Nuk do të ketë më të fortë apo mafie lokale në Kretë”, deklaroi ministri, duke theksuar edhe ndryshimet ligjore që po ndërmerren për të luftuar kriminalitetin.

Masat pasojnë ngjarjet e fundjavës së kaluar në fshatin Voricia, afër Heraklionit, ku dy familje u përplasën me armë zjarri, duke lënë dy të vdekur dhe gjashtë të plagosur, mes tyre një fëmijë të mitur. Një njësi e Drejtorisë për Luftën Kundër Krimit të Organizuar – e cilësuar nga autoritetet si “FBI-ja greke” – do të vendoset në mënyrë të përhershme në Kretë. Njësia është e specializuar në çmontimin e rrjeteve kriminale dhe hetimin e krimeve të rënda.

Në fjalën e tij, ministri paralajmëroi se qytetarëve në Kretë u kanoset një “ciklon trazirash dhe pasigurie” për shkak të rritjes së kriminalitetit, sjelljeve agresive dhe grupeve që veprojnë si të paprekshëm nga ligji.Ishulli ka përjetuar disa incidente me armë në vitet e fundit, shpesh të lidhura me konflikte mes familjeve, mosmarrëveshje pronësie dhe aktivitete kriminale të organizuara.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: