Studiuesja dhe kryetarja e jurisë së Panairit të 28-të të Librit, Elsa Skënderi, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka folur për zhvillimet dhe dinamikat e edicionit të këtij viti të panairit më të madh të librit në vend.

Skënderi vuri në dukje se puna e jurisë ka qenë intensive për shkak të numrit të madh të veprave që kanë marrë pjesë në garë, duke theksuar se interesimi i autorëve dhe botuesve është rritur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë.

“Volumi i punës është i jashtëzakonshëm. Librat që duhen lexuar janë të shumtë dhe duhet të lexohet në mënyrë sistematike ka një përgjegjësi të madhe,” tha Skënderi.

Sipas saj, krahasuar me vitin e kaluar, numri i veprave të dorëzuara është gati dyfishuar, çka tregon një zhvillim pozitiv në tregun e librit shqiptar.

“Jurisë së kaluar i ishin dorëzuar 160 vepra, ndërsa ne kemi pasur rreth 260 vepra të dorëzuara brenda afatit të caktuar,” pohoi kryetarja e jurisë.

Ajo theksoi gjithashtu se shtimi i prurjeve ka sjellë edhe rritje të cilësisë, jo vetëm në përmbajtje, por edhe në aspektin estetik të botimeve.

“Ka një shtim të numrit, por edhe një rritje të cilësisë. E shoh në mënyrën si vjen libri ka një vëmendje të shtuar edhe për një libër estetikisht të bukur,” u shpreh Skënderi.

Panairi i 28-të i Librit, i cili zhvillohet çdo vit në Tiranë, pritet të mbledhë qindra autorë, botues dhe lexues nga mbarë vendi, duke u bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vitit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb