Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se këtë të shtunë është bërë përurimi i dronëve të parë të prodhuar në Kosovë, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt avancimit të industrisë së mbrojtjes dhe prodhimit vendor.
Kreu i qeverisë vizitoi kompanitë prodhuese të dronëve në Gjilan, së bashku me kryetarin e komunës, Alban Hyseni. Në një postim në Facebook, Kurti theksoi se Kosova po kalon nga faza e blerjeve ushtarake drejt asaj të prodhimit të teknologjisë së saj.
“Të ardhmen e industrisë së mbrojtjes dhe avancimit të dronëve luftarakë po e ndërtojmë e zhvillojmë edhe në Kosovë. Shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon,” – shkroi Kurti.
Ai vizitoi kompanitë “Skifteri”, që prodhon dronë ushtarakë, dhe “Future Minds Academy” e “MIGA SkyShield MAR”, të cilat zhvillojnë dronë civilë.
Kryeministri kujtoi se Kosova ka investuar më herët në blerjen e dronëve modernë nga vendet partnere, si Bayraktar TB-2, Puma dhe Skydagger, ndërsa tani po zhvillon kapacitete të brendshme për prodhimin e dronëve luftarakë “Made in Kosova”.
“Droni kamikaz ‘K1’ arrin shpejtësi maksimale prej 180 km/h dhe lartësi deri në 2,500 metra. Ndërsa ‘Skifteri’ operon në lartësi deri në 5,000 metra, me hapësirë veprimi 20 km dhe shpejtësi prej 270 km/h,” theksoi Kurti.
Ai u shpreh se qeveria do të vazhdojë të mbështesë industrinë vendore të mbrojtjes, duke garantuar investime të mëtejshme në sigurinë dhe kapacitetet mbrojtëse të Kosovës.
“Si qeveri, në nivel qendror dhe lokal, do të mbështesim ngritjen e kapaciteteve dhe prodhimtarisë. Investimet për mbrojtje dhe siguri nuk do të ndalen,” përfundoi Kurti.
