Në Kosovë po zhvillohet këtë të dielë balotazhi për zgjedhjet lokale në 18 nga 38 komunat e vendit. Ky proces mbahet pasi këto komuna nuk arritën ta zgjedhin kryetarin në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor. Në këtë raund, gara shihet si test i fuqisë së partive në nivel lokal, por edhe si tregues i prirjeve të ardhshme në skenën qendrore.

Komunat që zhvillojnë balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.

Gara për kryeqytetin e vendit, Prishtinë, pritet të marrë vëmendjen kryesore në balotazhin e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Prishtina ka qenë për më shumë se një dekadë simbol i rivalitetit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në balotazhin e kësaj të diele në Prishtinë do të përballen Përparim Rama i LDK-së dhe Hajrullah Çeku i Vetëvendosjes. Dallimi mes tyre në raundin e parë nuk ka mundur të ishte më i vogël, vetëm 0.5 për qind.

Vendvotimet në të gjitha komunat ku zhvillohet balotazhi do të jenë të hapura nga ora 7:00 deri në 19:00, sipas Komisionit Zgjedhor të Kosovës. Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 525 qendra votimi, me gjithsej 1.648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1.628 vendvotime për votimin e rregullt. Ndërsa, për votim me kusht do të jenë 18 qendra, nga një për çdo komunë, me 20 vendvotime, sipas Komisionit Zgjedhor.

Mbi 1 milion qytetarë kanë të drejtë vote në këtë balotazh për zgjedhjet lokale në Kosovë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb